Pensionohet Xajë Mustafa, simboli i ribashkimit familjar pas luftës në Kosovë
Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Migjeni” ka nderuar me rastin e pensionimit Xajë Mustafën, një nga figurat më të njohura të periudhës së luftës së Kosovës, historia e të cilit u bë simbol i vuajtjeve dhe shpresës së familjeve shqiptare gjatë konfliktit.
Në një postim përkujtues, shkolla vlerësoi rrugëtimin jetësor të Mustafës, i cili gjatë luftës u burgos nga forcat serbe dhe u nda nga familja e tij, pa pasur për një kohë të gjatë asnjë informacion për fatin e më të dashurve.
Xajë Mustafa u bë i njohur në mbarë botën përmes një fotografie të realizuar në vitin 1999 nga fotografi i njohur Peter Turnley. Në imazhin që u kthye në një nga simbolet më të fuqishme të luftës së Kosovës, ai shfaqej duke mbajtur fotografitë e dy fëmijëve të tij të zhdukur, me shpresën se dikush do t’i njihte dhe do ta ndihmonte t’i gjente.
Sipas SHFMU “Migjeni”, fotografia preku zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën dhe u bë simbol i dhimbjes së familjeve shqiptare që përballeshin me pasigurinë për fatin e të afërmve të tyre.
Pas përfundimit të luftës, historia e Mustafës mori një kthesë të lumtur. Ai u ribashkua me familjen e tij dhe mësoi se fëmijët e tij ishin gjallë, në një ngjarje që u konsiderua nga shumëkush si një mrekulli dhe që mbetet një nga tregimet më prekëse të pasluftës në Kosovë.
Pavarësisht vuajtjeve të përjetuara, Xajë Mustafa vazhdoi jetën dhe punën me përkushtim e dinjitet deri në pensionimin e tij.
Në fund, kolektivi i shkollës i ka uruar atij shëndet, lumturi dhe vite të qeta pranë familjes së tij. /Zëri