19-vjeçari nga Drenasi zgjidhet asamblist në Bad Homburg të Gjermanisë

19-vjeçari nga Drenasi zgjidhet asamblist në Bad Homburg të Gjermanisë

Aktuale May 22, 2026 - 12:58

Një i ri me origjinë nga Kosova është zgjedhur anëtar i asamblesë komunale në qytetin Bad Homburg, në landin Hessen të Gjermanisë.

Murat Avdyli, i lindur më 23 shtator 2006 në fshatin Dobroshec të Drenasit dhe i rritur në Gjermani, ka fituar mandatin në zgjedhjet e mbajtura më 25 mars 2026, si kandidat i CDU-së, duke siguruar 8.722 vota, transmeton Zeri.info.

Image

Bad Homburg ka rreth 54.000 banorë dhe rreth 32.000 votues me të drejtë vote, ndërsa Avdyli është zgjedhur si një nga anëtarët e rinj të asamblesë komunale.

Ai është përshkruar si shqiptari i vetëm i zgjedhur në këtë përbërje dhe një nga anëtarët më të rinj të asamblesë.

Avdyli është shpërngulur në Gjermani në moshën 4-vjeçare. Ai ka ndjekur shkollimin në Gjermani, ku ka përfunduar maturën në Kaiserin-Friedrich-Gymnasium dhe aktualisht është student në Frankfurt School of Finance.

Përveç angazhimit politik, ai ka qenë aktiv edhe në organizatat rinore të CDU-së, ku është përfshirë që nga viti 2023 dhe më pas ka mbajtur edhe funksione drejtuese lokale.

Zgjedhja e tij është parë si një shembull i integrimit të suksesshëm të diasporës shqiptare në jetën politike dhe institucionale në Gjermani. /Zëri