Incidenti me flamurin në Eurovision, gazetari njofton EBU-në
Të shtunën e kaluar një incident mori vëmendje në Qendrën Mediale të Eurovisionit në Vjenë të Austrisë.
Redaktori i Gazetës Zëri, Albert Limani i cili ishte i akredituar dhe duke ndjekur Eurovisionin bashkë me mbi 1000 gazetarë e përfaqësues të mediave nga Evropa, është kthyer në qendër të vëmendjes pasi një gazetare nga një medium serb, ka tentuar të largoi flamurin e Kosovës derisa po festonin bashkë me kolegë nga RTK-ja paraqitjen e Shqipërisë në skenën e Eurovisionit, por që Limani ka reaguar dhe nuk e ka lejuar këtë.
Limani tashmë ka dërguar ankesë në Unionin Evropian të Transmetuesve [EBU], të cilët janë organizatorë të festivalit evropian.
“Kam dërguar një ankesë zyrtare, me të cilën e kam njoftuar EBU-në për incidentin, kam kërkuar që ta kenë parasysh që personin në fjalë të mos e akreditojnë për shkak të veprimit që ka bërë si dhe media e saj të merr një vërejtje për këtë veprim”, ka thënë Limani për “Zërin” .
Në ankesën e tij, Limani i cili përfaqëson edhe “Eurovision Kosova”, ka theksuar se beson se një sjellje dhe intolerancë e tillë ndaj identitetit apo simboleve të të tjerëve nuk duhet të tolerohet dhe duhet të merret seriozisht nga organizatorët.
“Për këtë arsye, kërkoj nga EBU që ta shqyrtojë këtë incident dhe gjithashtu të rishqyrtojë kërkesat për akreditim në edicionet e ardhshme të Eurovisionit për personat e përfshirë në sjellje të tilla”, ka thënë ai.
Limani ka treguar se aplikacionin e akreditimin në Eurovision e ka bërë si gazetar nga Kosova, me dokumente zyrtare të Kosovës, si dhe flamurin të cilin e ka pasur me vete në Qendrën e Mediave e ka blerë në dyqanin zyrtar të Eurovisionit në vjenë, duke theksuar se po të ishte i ndaluar nuk do të lejohej as të blihej. /Zëri