Analistët: Emërimet zëvendësministrave nga Qeveria në detyrë, pjesë e fushatës
Jo veç një. As dy. Por, hiç më pak se tre, madje për vetëm 24 orë.
Kaq është numri i zëvendësministrave të emëruar nga Qeveria Kurti, e cila është në detyrë.
I pari u emërua, Ali Dula, në Ministrinë për Zhvillim Rajonal.
Pastaj, ish-deputeti Agon Batusha, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal
I fundit deri tani, ishte aktivisti i hershëm, Hysni Mehani, që u rehatua në Ministrinë e Financave.
Megjithatë, sipas një njohësi të çështjeve politike, këto emërime nuk janë në kundërshtim me ligjin për Qeverinë, i cili kufizon veprimet veç për qeveri në dorëheqje.
“Është njëfarë hapësire në të cilën qeveria mund të bëjë emërime politike. Çka nuk mund të bëjë, është zgjedhja e përfaqësuesve të institucioneve të pavarura”, ka thënë Adrian Zeqiri, Njohës i çështjeve politike.
Por, prapavija e qëllimeve, sipas njohësve, mund të jetë fushata politike, për zgjedhjet e qershorit.
“Qëllimi është politik. Jemi në fushatë politike. Dhe dëshirojnë të tregojnë se e bëjnë për favore politike dhe e minojnë rendin juridik”, ka thënë Bardhyl Hasanpapaj, Dr. i Shkencave Juridike.
“Është që të bëjë vendosjen e njerëzve kyç, të cilët Kurti mendon që do t’i kryejnë punë në zgjedhjet e ardhshme, janë emërime për rehatim të figurave të ndryshme”, ka thënë Adrian Zeqiri, Njohës i çështjeve politike.
Emërimet e fundit kanë qenë edhe cak i kritikave nga partitë deri dje opozitare. PDK dhe LDK kanë thënë se këto vendime janë zhvatje e buxhetit dhe abuzim me pozitën zyrtare./dukagjini