Aktgjykimi për Thaçin dhe të tjerët ende pa datë, Specialja tregon kur mund të shpallet vendimi

Aktgjykimi për Thaçin dhe të tjerët ende pa datë, Specialja tregon kur mund të shpallet vendimi

Aktuale May 01, 2026 - 08:52

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë dhënë detaje të reja lidhur me procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, duke bërë të ditur se ende nuk ka një datë të caktuar për shpalljen e aktgjykimit.

Sipas njoftimit javor për media të Speciales, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së aktualisht ndodhet në fazën e kuvendimeve, pasi palët kanë përmbyllur paraqitjen e provave dhe dosjeve përfundimtare.

Një zhvillim i fundit në këtë çështje ishte publikimi i dosjes përfundimtare të Mbrojtjes së Selimit. Më 23 prill 2026, mbrojtja e Rexhep Selimi dorëzoi versionin publik të redaktuar të dosjes së saj përfundimtare, e cila më parë ishte paraqitur si konfidenciale në janar 2026. Me këtë hap, të gjitha dosjet përfundimtare të mbrojtjes në këtë proces tashmë janë bërë publike.

Megjithatë, pavarësisht përfundimit të kësaj faze, Specialja thekson se koha për nxjerrjen e aktgjykimit varet nga zhvillimet brenda çështjes dhe vlerësimi i Trupit Gjykues.

Në bazë të Rregullorja e Procedurës dhe e Provave, gjyqtarët kanë 90 ditë kohë për të arritur një verdikt. Por ky afat nuk është absolut — nëse rrethanat e kërkojnë, Trupi Gjykues mund t’i zgjasë kuvendimet edhe përtej 90 ditëve.

Sipas Speciales, Trupi Gjykues nuk ka detyrim të kërkojë leje për shtyrje të afatit, por duhet të nxjerrë një vendim të arsyetuar nëse vendos ta zgjasë periudhën e vendimmarrjes, në përputhje me rregullën 159.

“Data e saktë e shpalljes së verdiktit në këtë çështje nuk dihet ende, por publiku do të njoftohet sapo gjyqtarët ta caktojnë atë”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara./Zëri