IKD-ja publikon raportin rajonal për Kapitullin 1 të BE-së, theksohen sfidat dhe vonesat në integrimin evropian
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka organizuar tryezën rajonale, ku edhe është publikuar përmbledhja, “Pasqyrim rajonal: Ku qëndron rajoni në Grup kapitullin 1 të BE – Parimet Themelore?”. Në këtë tryezë, përfaqësues të organizatave partnere dhe ekspertë të fushës kanë prezantuar gjetjet dhe vlerësimet e tyre lidhur me procesin e integrimit evropian në rajon.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, tha se dokumenti është hartuar në kuadër të një projekti rajonal dhe përfshin analiza krahasuese për tri shtete.
“Ky dokument është hartuar në kuadër të një projekti të mbështetur nga Fondi i Ballkanit Perëndimor, projekt i cili është implementuar nga ne si IKD (Instituti i Kosovës për Drejtësi), në partneritet me CSDG-në, organizatë nga Shqipëria dhe SCOOP Maqedonia nga Maqedonia e Veriut. Në kuadër të këtij projekti janë organizuar deri më tani tri punëtori rajonale: një në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkodër, ku shfrytëzoj rastin t’i falënderoj përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e institucioneve për bashkëpunimin e tyre dhe kontributin në këto punëtori. Vlen të theksohet se ka pasur mjaft shumë inpute, të cilat janë përpunuar dhe janë paraqitur në formë të përmbledhjes në formë të shkurtër të përmbledhura në raportin që do të prezantohet sot. Pasqyrimi përmbledh analizën krahasuese për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke u fokusuar në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformën në administratën publike. Siç do ta shohim edhe më vonë, një nga mesazhet kryesore që del nga ky pasqyrim është se progresi në procesin e integrimit nuk matet vetëm me miratimin e legjislacionit apo ndërtimin formal të institucioneve, por mbi të gjitha me funksionimin efektiv të tyre dhe rezultatet konkrete në praktikë. Po ashtu, dokumenti reflekton një realitet rajonal ku, përkundër niveleve të ndryshme të avancimit, vendet përballen edhe me sfida të përbashkëta, veçanërisht në zbatim, koordinim dhe krijimin e një ‘track record’, kështu me thënë, të qëndrueshëm një historiku të qëndrueshëm”, tha ai.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, theksoi se Kosova mbetet prapa në procesin e integrimit evropian krahasuar me vendet e rajonit.
“Fatkeqësisht, nëse marrim për bazë Kosovën, edhe në këto punëtori, është vendi i fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor sa i përket procesit të integrimit evropian. Është bërë modë që Kosova të organizojë zgjedhje të lira e demokratike, jemi lider në Ballkanin Perëndimor, besoj edhe në Evropë, që organizojmë zgjedhje të cilat i plotësojnë standardet më të larta ndërkombëtare, zgjedhje të cilat pranohen nga të gjitha partitë politike, përshëndeten nga partnerët ndërkombëtarë – por që pastaj këto zgjedhje të lira e demokratike që organizojmë, a po kemi kapacitete apo vullnet politik t’i kthejmë në institucione përgjegjëse, institucione funksionale të cilat do ta kishin prioritet integrimin evropian, që do t’i kishin prioritet çështjet të cilat lidhen me mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. E përmenda, fatkeqësisht Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor sa i përket procesit të integrimit evropian. Në këtë drejtim, nga këto punëtori kemi marrë mësime të rëndësishme e të vlefshme, sidomos nga Shqipëria po edhe nga Maqedonia, për të parë disa nga përvojat e tyre: ku kanë qenë dhe ku aspirojnë të jenë në integrimin evropian”, u shpreh ai.
Arjan Dyrmishi, drejtor i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG), foli për rëndësinë e metodologjisë së re të anëtarësimit dhe ndikimin e saj në procesin e integrimit.
“Gjithashtu më vjen mirë që ky projekt po ka dhe një rezonancë rajonale dhe që është një projekt që ne në Shqipëri e kemi filluar zbatimin që prej vitit 2021, menjëherë në respektiv të ndryshimit të metodologjisë së anëtarësimit nga Bashkimi Evropian, pra ndarja me grup-kapituj. Kjo edhe për të reflektuar pak një diskutim i cili nuk ishte shumë faktual, pak konspirativ, që metodologjia e re është ndërtuar me qëllim që të pengojë sepse Evropa nuk e do Ballkanin e të tjerë, e të tjerë. Dhe faktikisht ishte një narrativë, siç e dimë, edhe në kuadër të aspekteve të tjera të informimit, dezinformimit e të tjerë ndodhin, por që dhe ka pasur si moto që të ndjek nga afër pikërisht ecurinë e procesit të përafrimit të Shqipërisë, të paktën në raport me këtë grup-kapitull. Siç dihet, metodologjia e anëtarësimit parashikon që grup-kapitulli i parë meqenëse të gjithë kapitujt grupohen në gjashtë grup-kapituj është ai që hapet i pari dhe mbyllet i fundit, për arsye dhe të faktit se nga se është i përbërë. Pra, në grup-kapitullin e parë përmenda kapitujt 23 dhe 24, që është drejtësia dhe siguria, por faktikisht grup-kapitulli i parë ka gjithashtu ato që quhen themeloret e demokracisë, që përbëjnë zgjedhjet, administratën publike, tregun, por njëkohësisht ka kontrollin financiar publik, që do të thotë që nëse një shtet nuk kontrollon siç duhet financat e veta nuk mund të jetë i suksesshëm; statistikat, sepse si do ta mas suksesin dhe regresin; prokurimet publike, sepse si do shpërndahen paratë për të zhvilluar vendin; dhe pastaj drejtësia dhe siguria”, tha Dyrmishi.
Ndërkohë, Goran Levkov, Drejtor – Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP në Maqedoni ngriti shqetësimin për largimin e të rinjve nga rajoni dhe pasojat që kjo sjell për tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik.
“Politikat që janë ndjekur gjatë 20, 30, apo 40 viteve të fundit pas rënies së komunizmit në këto vende treguan një gjë—ishte një politikë e gabuar që të rinjtë u larguan nga rajoni. Tani kemi problem të gjejmë fuqi punëtore, kemi problem të gjejmë punëtorë të kualifikuar, sepse në fakt ata ekzistojnë, por janë detyruar të largohen nga këtu. Prandaj, në të ardhmen do të përballemi me një sfidë të re: të gjejmë njerëzit që do t’i përshtaten rritjes dhe nevojës për të hapur rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha ai. /eo