Konjufca thotë se përmes presidentit po tentohet të rrëzohet qeveria
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëherësh edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, sot në seancën e jashtëzakonshme të Kosovës, ku në rend dite është diskutimi për çështjen e presidentit të Republikës së Kosovës, ka deklaruar se vendi po kalon një krizë politike që, sipas tij, lidhet me përpjekjet e opozitës për të pamundësuar zgjedhjen e presidentit dhe për ta çuar vendin në zgjedhje.

Ai tha se kjo është kriza e tretë politike në vitet e fundit, duke akuzuar subjektet opozitare për bashkërendim veprimesh me qëllim rrëzimin e qeverisë.
“Dhe kriza e tretë është kriza të cilën po e kalojmë tash. Kjo është bashkimi i subjekteve parlamentare, këto opozitare për me e shfrytëzua çështjen e presidentit që përmes pamundësimit të kuorumit të çojë në zgjedhje. E cila është shpresa e tyre? Shpresa e tyre është që përmes kësaj, përmes shfrytëzimit të institucionit tjetër, të një institucioni tjetër edhe pra që është presidenti që nuk ka lidhje me qeverinë, ne mundemi me rrëzua qeverinë”, tha ai.

Konjufca rikujtoi edhe dy krizat e mëparshme politike, të cilat sipas tij kanë pasur të njëjtin motiv, mospranimin e rezultatit zgjedhor nga ana e opozitës.
“Nëse duam ta konceptualizojmë atë që ka ndodhë, në vëmendje prej vitit 2019 në Kosovë nga aspekti i krizave. Atëherë mund të them që tri kriza na kanë ndodhur në katër palë zgjedhje për shtatë vjet. Dhe këto tri kriza e kanë pasur formën edhe arsyen themelore përpjekjen për mospranim të rezultatit zgjedhor, a s’ka mund me thënë ndoshta edhe përpjekje për përmbysje të rezultatit zgjedhor si reflektim i vullnetit të popullit. Kriza e vitit 2020 e ka pasur formën e prishjes LDK-ja nga koalicioni me vetëvendosjen edhe përmes bashkëpunimit me PDK-në rrëzimin e qeverisë Kurti 1. Po unë po flas vetëm prej momentit kur ka fitu Lëvizja Vetëvendosje, kur ka dalë e para në zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje na kanë ndodhë tri kriza”, tha ai.

Ai përmendi edhe krizën e dytë gjatë vitit 2025, për të cilën tha se erdhi si rezultat i bllokadës nga partitë opozitare për formimin e qeverisë.
“Kriza e dytë ndodhi nga bashkimi i të tri partive politike, i të tri grupeve atëherë politike opozitare për bllokimin që të themelohet qeveria Kurti 3 dhe këtë bllokadë e pamë për gjatë gjithë vitit 2025. Cili ishte qëllimi? Mandati ishte i qartë lëvizja vetëvendosje i fitoi mbi 42 për qind. Populli tha kryeministër duhet me qenë Albin Kurti dhe faktikisht u pamundësu. Kjo prej shkurtit të vitit 2025 deri në dhjetor kur kjo krizë, kjo bllokadë e grupeve parlamentare opozitare na çoi në zgjedhje si mundësi e daljes nga kjo krizë. Sepse shteti këtë mekanizëm e ka”, tha ai. /eo