Kuvendi nderon kontributin e Eliot Engelit për Kosovën
Foto: Laura Hasani

Kuvendi nderon kontributin e Eliot Engelit për Kosovën

Aktuale April 24, 2026 - 11:09
I plotësuar

Gashi: Eliot Engel mbetet simbol i mbështetjes për lirinë e Kosovës

Image

Në një seancë të Kuvendit të Kosovës, deputetja Liza Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje mbajti një fjalim në nderim të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, duke vlerësuar kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Gashi theksoi rolin e Engelit në ndërgjegjësimin e institucioneve amerikane dhe opinionit ndërkombëtar për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ’90, si dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm kundër represionit serb.

“Jemi mbledhur sot këtu për ta nderuar një kontribues të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës, i cili kontribuoi shumë që ne të mund të flasim shqip sot në këtë foltore. Eliot Engel do të mbetet përjetësisht i skalitur në historinë moderne të Republikës sonë si kongresist amerikan që u rreshtua ndër të parët për kauzën tonë për liri”, tha Gashi.

Ajo shtoi se përmes kontakteve me komunitetin shqiptar në Nju-Jork dhe bashkëpunimit me organizatat e diasporës, Engel e bëri çështjen e Kosovës pjesë të agjendës ndërkombëtare.

“Që nga vitet ’90, ai ngriti zërin kundër represionit të vazhdueshëm të regjimit serb ndaj popullit shqiptar dhe solli në Kongresin amerikan dëshmi për gjendjen në Kosovë, duke kërkuar ndërhyrje të SHBA-së për ndaljen e dhunës”, theksoi Gashi.

Ajo përfundoi se figura e Engelit do të mbetet simbol i përhershëm i mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën dhe i miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çitaku për Eliot Engelin: Zëri që i dha Kosovës mbështetje në ditët më të errëta

Image

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka vlerësuar figurën e kongresistit amerikan Eliot Engel, duke theksuar rolin dhe ndikimin e tij në ndërgjegjen ndërkombëtare për Kosovën.

Ajo u shpreh se Engeli kishte lënë gjurmë të thella jo vetëm në politikë, por edhe në përkrahjen e vazhdueshme për popullin e Kosovës.

“Eliot Engel kishte bërë atë që shumë pak njerëz arrijnë ta bëjnë në politikë. Kishte lënë gjurmë në ndërgjegjen e njerëzve. Dhe atëherë kuptova që misioni im ishte shumë i lehtë. Nuk kisha detyrë vetëm të krijoja miq, por t’i nderoja miqësitë që Eliot Engel kishte krijuar për ne”, tha Çitaku.

Ajo theksoi se kur një popull i vogël arrin të dëgjohet edhe pa qenë i pranishëm, atëherë historia e tij ka gjetur një zë të besueshëm.

“Sipërfaqja e kësaj mbështetjeje ishte vetë Eliot Engel. Ishte zëri që mbështeti Kosovën në ditët më të errëta të okupimit. Profetike mbetet deklarata e tij në ditën kur ‘kasapi i Ballkanit’ ia ndaloi hyrjen në Kosovë gjatë luftës. ‘Shumë shpejt,’ tha kongresmeni, ‘Kosova do të çlirohet. Unë do ta vizitoj Kosovën, por ju dhe Serbia do ta keni të ndaluar të hyni në Kosovë’”, u shpreh Çitaku.

Kurti citon Engelin: Dua ta shoh Kosovën të njohur nga secili shtet në botë dhe në NATO

Image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi kontributin e kongresistit amerikan Eliot Engel, duke theksuar rolin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve.

Kurti tha se Engeli ishte një mik dhe mbështetës i madh i shqiptarëve, i cili nuk hezitoi asnjëherë të ngriste zërin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pozicionohej në anën e drejtë të historisë.

“Kongresisti Eliot Engel, miku dhe mbështetësi i madh i shqiptarëve në përgjithësi dhe i Kosovës në veçanti, nuk hezitoi asnjëherë të ngriste zërin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pozicionohej në anën e drejtë të historisë. Për më tepër, ai avokoi dhe u angazhua pa u kursyer që të drejtat të triumfojnë. Kur erdhi në Prishtinë, me rastin e hapjes së zyrës informuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në qershor të vitit 1996, ai e cilësoi atë si ambasadën e parë të shtetasve amerikanë në Kosovë, duke u shprehur i bindur se një ditë do të ketë një Republikë të Kosovës. Këtë e tregoi vetë në ditën kur preu shiritin e ndërtesës së re e moderne të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovën e lirë dhe të pavarur”, tha ai.

“Ai nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij, duke e ngritur dhe duke avokuar për mbrojtjen e çështjes sonë në institucionet më të larta amerikane. Për më shumë se 3 dekada, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Engel ishte një shërbyes i përkushtuar i qytetarëve amerikanë, dhe përfaqësues i fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe ato civile, kudo në botë e sidomos për ne. Kongresisti Engel i qëndroi besnik angazhimit për kombin tonë, që kur u njoh për së afërmi me të. Në shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në këtë foltore, në Kuvendin e shtetit të cilin Kongresisti Engel ishte i bindur se do të bëhej, ai tha, po citoj: “Dua ta shoh Kosovën të njohur nga secili shtet në botë, dua ta shoh Kosovën të anëtarësuar në Kombet e Bashkuara, dua ta shoh Kosovën në NATO dhe dua ta shoh Kosovën në Kombet e Bashkuara”, tha ai.

Haxhiu: Eliot Engel ngriti zërin për Kosovën kur bota heshtte

Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe njëherësh kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, e cila ka nisur në orën 10:00 dhe i kushtohet ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, i cili vdiq më 10 prill.

Ajo tha se Engeli nuk reshti së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës dhe se ngriti zërin në kohën kur bota heshtte.

Image

“Sot, në këtë seancë kujtojmë dhe nderojmë një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës, i cili në ditët më të vështira të historisë sonë të re ngriti zërin fuqishëm për shkeljen e të drejtave tona, represionin dhe persekutimin nga regjimi serbo-jugosllav”, tha Haxhiu.

Haxhiu shtoi se “Engel nuk e donte Kosovën nga larg, por  e mbrojti me argumente e votë”. 

10:32 - Kuvendi mblidhet në seancë solemne për kongresistin Eliot Engel

Me një minutë heshtje, Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën solemne në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan, Eliot Engel.

 Engeli, i cili vdiq më 10 prill, ka dhënë një kontribut të madh për Kosovën.

 Engeli ka vdekur në moshën 79-vjeçare.

Image

Image

Image

Image