Haxhiu: Drejtësia mbetet e cunguar për aq kohë sa autorët e dhunës seksuale jetojnë të lirë në Serbi
Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nderoi viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar rëndësinë e kujtimit dhe drejtësisë për ato gra dhe burra që përjetuan këtë krim të tmerrshëm.
Ajo theksoi se dhuna seksuale gjatë luftës është një nga krimet më të rënda dhe më egëra që mund të godasë qenien njerëzore, sepse prek dhe shkatërron jo vetëm trupin, por edhe dinjitetin.
“Qirinjtë sapo i ndezëm, një simbolikë e thjeshtë në dukje, por e thellë në domethënie. Sot kur themi “ma kthe Dritën”, flasim për dritën që i detyrohemi të vërtetës, dinjitetin që tentua të nëpërkëmbët dhe për jetën që u nda në dysh. Pak krime e godasin qenien njerëzore me aq egërsi sa dhuna seksuale në luftë, pasi përmes saj sulmohet rrënjësisht vet dinjiteti njerëzor”, tha Haxhiu.

Haxhiu, theksoi se drejtësia për viktimat e dhunës seksuale mbetet e pa plotë derisa autorët e këtyre krimeve jetojnë të lirë në Serbi.
“Drejtësia mbetet e cunguar për aq kohë sa autorët e këtyre krimeve jetojnë të lirë në Serbi, të strehuar dhe të mbrojtur nga një shtet që ende nuk është përballur me përgjegjësinë e vet për krimet e kryera në Kosovë”, tha Haxhiu.