Misioni në Gazë test për Kosovën, sa pjesëtarë të FSK-së do të dërgohen?
Foto: Laura Hasani

Misioni në Gazë test për Kosovën, sa pjesëtarë të FSK-së do të dërgohen?

Aktuale April 13, 2026 - 11:57

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes i Kuvendit të Kosovës pritet të shqyrtojë nesër vendimin e Qeverisë për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gazë.

Eksperti i sigurisë Drizan Shala tha se ky mision përbën një hap të rëndësishëm strategjik për Kosovën.

Shala bëri të ditur se sipas informacioneve aktuale, FSK-ja do të marrë pjesë me një kontingjent të kufizuar ushtarak.

“Tani më është e qartë që nga bordi i paqes, Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesë përbërëse e kësaj force ndërkombëtare, ku për mision ka ruajtjen dhe garantimin dhe përmbylljen e luftës në Gaza. Si rezultat i asaj, Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë me personel të saj ushtarak në pjesën e Gazës, në sektorin i cili është i dedikuar pikërisht për të, për të përmbyll misionin e saj. Sipas asaj çka tani më dihet do të jenë rreth 20-22 persona apo ushtarë të cilët do të marrin pjesë në këtë mision. Pas asaj do të bëhet vlerësimi nga vet komanda e forcës ndërkombëtare të sigurisë në kuadër të bordit për paqe për të vlerësuar se a do të duhet të kemi shtim të trupave apo jo”, tha ai.

Ai theksoi se juridiksioni nacional do të mbetet në fuqi për personelin e FSK-së gjatë këtij angazhimi.

“Por çka është kruciale është fakti që juridiksioni nacional do të mbizotëroj mbi misionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës pra personeli ushtarak nuk do të jetë pjesë përbërëse se çfarëdo tribunali ndërkombëtar të drejtësisë në qoftë se nuk do të ketë pajtueshmëri nga vet shteti anëtar i bordit për paqe. Çka mund të konstatojmë është fakti që tani më jemi në fazën përmbyllëse të gjithë pjesës të planifikimeve strategjike dokumentacioneve përcjellëse ku sipas kohës së veprimeve do të jetë sipas parashikimeve jo më larg se muaji shtator 2026”, tha ai.

Sipas tij, ky mision dëshmon transformimin e Kosovës në një kontribuese të sigurisë ndërkombëtare.

“Pra, kjo dëshmon faktin që Kosova tashmë nga një shtet pranues i sigurisë, është tashmë në një shtet i cili ofron sigurinë dhe e transmeton sigurinë. Njëkohësisht në kuadër të këtij, apo kësaj përvoje në një mision kompleks siç është rasti në Gaza, kjo e katapulton në një, në një nivel shumë të lartë pozicionin e FSK-së, në kuadër të një pasqyre në raport me NATO-n, e cila më pastaj do të jetë një rrugëtim apo një derë e hapur në potencialin e anëtarësimit të saj në periudhën deri në vitin 2028”, tha ai.

Ai shtoi se angazhimi në Gazë do të shërbejë si test për përgatitjen e FSK-së në operacione komplekse ndërkombëtare.

“Pra, ky mision është një lloj testimi në formën ndërkombëtare se sa është e përgatitur Forca e Sigurisë së Kosovës në misione komplekse të tilla. Për çka është e rëndësishme të thuhet është fakti që, në kuadër të planifikimit në bordin e paqes, misioni i forcës ndërkombëtare i sigurisë, përpos garantimit dhe ofrimit të sigurisë, do të jetë pjesë përbërëse edhe patrullimet me forcat izraelite, me forcat egjiptiane, për të garantuar vijën kufitare, apo njëkohësisht për të ofruar trajnime eksplicite për policinë e Palestinës, e cila më pastaj do të ndërmarrë veprime konkrete në ofrimin e sigurisë, po njëkohësisht në ofrimin dhe në përmbylljen e misionit me sukses nga Forca e Sigurisë së Kosovës, po njëkohësisht edhe nga Bordi i Paqes”, tha ai.

Qeveria e Kosovës më 30 prill 2026 ka miratuar propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gazë, duke i hapur rrugë procedimit të vendimit për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, tha se “jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, sepse edhe vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes dhe sigurisë.

Vendimi për dërgimin e trupave u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës. /EO