Jashari: Specialja s’duhej të priste deri më 19 maj, pres vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së
Foto: Laura Hasani

Jashari: Specialja s’duhej të priste deri më 19 maj, pres vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së

Aktuale April 13, 2026 - 10:25

Avokati Arbër Jashari, ka komentuar afatin e 19 majit si datë e fundit për shpalljen e vendimit nga Gjykata Speciale në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke vlerësuar se procesi është zvarritur tej mase dhe se vendimi nuk duhet të vonohet më tej.

Ai ka theksuar se gjykata nuk do ta shtyjë më këtë afat, ndërsa ka shprehur pritshmëri për një aktgjykim lirues, duke argumentuar se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë akuzat gjatë procesit gjyqësor.

“Mendoj se Specialja nuk ishte dashur të pritet as afati i 19 majit për arsye se ky rast është zvarritur dhe prolongu shumë po thuajse që pesë vite dhe ish dashtë me fillu me një urgjencë të madhe dhe mos me pritë as afatin e fundit këtë afatin fillestar prej 3 muajsh. Gjykata nuk do e shtyjë këtë afat edhe nëse ligji ia lejon dhe unë pres që gjykimi të jetë lirues sepse Prokuroria nuk ka arritur të i vërtetoj akuzat dhe mendoj se prokuroria nuk ka sjell prova të mjaftueshme dhe nuk janë vërtetuar gjatë procesit gjyqësor”, ka deklaruar Jashari për FrontOnline.

Megjithatë, ai ka theksuar se rezultati përfundimtar mbetet i paparashikueshëm, duke pasur parasysh natyrën e procesit gjyqësor dhe faktin që një pjesë e seancave kanë qenë të mbyllura.

“Jemi në një proces gjyqësor dhe mund të them se kur jesh në një proces gjyqësor e ardhmja është e paparashikueshme dhe gjykata ka mundur të jetë bindje tjetër dhe mund që vendimi të jetë ndryshe nga ai që presim ne, sepse seancat kanë qenë të mbyllura, por nga ajo që kemi parë dhe dëgjuar, aktgjykimi lirues do të ishte më i drejti”, ka shtuar ai.