Kurti kujton masakrën në Lubizhdë të Hasit: Dëshmi e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se jetët e dhëna për çlirimin e Kosovës janë në themelet e lirisë, duke kujtuar të rënët e vrarë nga sistemi serb në Lubizhdë të Hasit.
“Si sot, 27 vite më parë, më 12 prill të vitit 1999, forca të shumta të Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave, i rrethuan malet ku ishin strehuar shumë nga banorët e fshatit Lubizhdë të Hasit. Pasi i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët e tyre, ushtarët serbë filluan t’i torturonin teksa i radhitën në rresht për t’i pushkatuar. Të mbijetuarit e kësaj masakre, kanë rrëfyer pastaj barbarinë e këtij krimi shtetëror të Serbisë ndaj banorëve të Lubizhdës së Hasit, përshkuar nga ekzekutime të planifikuara, tortura, malltretime, plaçkitje, dhunime, dëbime dhe shkatërrim pronash”, ka shkruar ai.
Kurti tha se prilli i vitit 1999 qe koha kur një nga fushatat kriminale të spastrimit etnik dhe gjenocidit serb u shtri mbi Kosovën, duke lënë të vrarë 40 civilë shqiptarë të paarmatosur.
“Ndërkaq, në përballje me forcat serbe dhe në mbrojtje të civilëve, ranë dëshmorë 14 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jetët e dhëna për çlirimin e Kosovës janë vlerë sublime në themelet e lirisë së popullit dhe shtetndërtimit të republikës sonë”, vazhdon Kurti.