Bytyqi: Kimioterapia të shpërndahet edhe nëpër spitale regjionale, jo vetëm në Prishtinë
Foto: Laura Hasani

Bytyqi: Kimioterapia të shpërndahet edhe nëpër spitale regjionale, jo vetëm në Prishtinë

Aktuale April 12, 2026 - 09:14

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit anëtare e Komisionit për Shëndetësi, Albana Bytyqi, ka kërkuar që terapia për personat e diagnostikuar me kancer të jepet edhe në spitalet regjionale.

Kjo, për shkak që siç thotë ajo shumë prej këtyre personave me këtë sëmundje kanë kushte të rënda ekonomike dhe ardhja në Prishtinë për të marrë terapinë është shumë e vështirë.

 “Patjetër që kjo është e domosdoshme që t’ju ofrohet një mbështetje. Mirëpo unë kur kam qenë në legjislaturën e kaluar kam kërkuar që, sidomos kimioterapia të shpërndahet nëpër rajonet regjionale, për shembull e kemi pasur në Prizren. Kjo ka funksionuar një kohë shumë të shkurtër, mandej është ndalur sepse rastet të cilat i kemi me sëmundje të rënda janë edhe me kushte ekonomike jo të mira dhe nuk po kanë mundësi me ardh me marrë terapi në Prishtinë dhe me u kthyer prapë. Mirëpo e kam kërkuar dhe nuk e di sa është tash duke funksionuar, mirëpo do të interesohem ta shoh se si po rrjedh procedura”, tha Bytyqi për EO.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi ditë më parë në një intervistë ka treguar se vetëm gjatë periudhës janar – 20 mars, rreth 500 pacientë janë diagnostikuar dhe trajtuar për herë të parë në Klinikën e Onkologjisë.

“Në Kosovë regjistrohen rreth 2100 raste të reja në vit, kjo përkthehet në afërsisht 170 -190 raste në muaj,pra për periudhën janar – 20 mars: rreth  500 pacientë të rinj të ekzaminuar/diagnostikuar dhe trajtuar në Klinikën e Onkologjisë për herë të parë .Çdo ditë pune rreth 250-300 pacient trajtohen në shërbimin e Onkologjisë mjekësore dhe rreth 140 pacient në ditë rrezatohen në Shërbimin e Radioterapisë, pra mbi 450 pacient në total trajtohen në Kliniken e Onkologjisë”, ka thënë Kurtishi./EO