Ish-presidenti Sejdiu për Engel: Personalitet i rrallë e i papërsëritshëm, i falemi përjetë angazhimit të tij
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka reaguar lidhur me vdekjen e ish-kongresistit Eliot Engel, duket thënë se lajmi për vdekjen e tij është jashtëzakonisht i dhembshëm dhe se, ish-kongresisti, mbeti një personalitet i rrallë dhe i papërsëritshëm.
Sejdiu, ka shtuar se, " I falemi përjetë angazhimit të shumanshëm", të Engel.
Postimi i plotë:
Lamtumirë, mik i dashur
Lajmi për vdekjen e kongresmenit shumëvjeçar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eliot Engel, është jashtëzakonisht i dhembshëm.
Eliot Engel ishte dhe mbeti një personalitet i rrallë dhe i papërsëritshëm, i cili me gjithë energjinë e tij i ishte përkushtuar mbrojtjes së Kosovës dhe popullit të saj.
E kam takuar shumë herë. Gjithmonë i paluhatur, edhe atëherë kur lufta e kërcënonte Kosovën, e edhe atëherë kur Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran, duke u angazhuar për njohjen e pavarësisë së saj dhe zhvillimin e saj sa më të shpejtë.
I falemi përjetë angazhimit të tij të shumëanshëm.
Kosova do ta ndjejë me dhembje shkuarjen tënde në amshim, por me falënderimin më të madh për të bëmat e jashtëzakonshme që ia dhe vendit dhe popullit tonë.
Prehu në paqe, miku im!