Haxhiu paralajmëron se do t`i jep përparësi Rregullores së Kuvendit ndaj Kushtetutës për përbërjen e KQZ-së
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të emërojë anëtarin e dhjetë të KQZ-së, të cilin po e pretendojnë PDK-ja dhe VV-ja.
Në deklarimin e saj të fundit, Haxhiu ka lënë të nënkuptohet se po bëhet gati për të favorizuar partinë e saj.
Gjatë një interviste për emisionin “Konfront” të KTV-së, Haxhiu ka paralajmëruar se për këtë çështje do t`i jep përparësi Rregullores së Kuvendit dhe do të injorojë Kushtetutën e Kosovës.
Pavarësisht se paragrafi 4 i nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës është i qartë, Haxhiu ka lënë të kuptohet se në emërimin e anëtarit të fundit të KQZ-së po shërbehet me të dhëna dhe situata që s’kanë të bëjnë asgjë me përbërjen e KQZ-së.
Ndonëse Kushtetuta është dokumenti më i rëndësishëm në Republikën e Kosovës, Haxhiu ka lënë të kuptohet se për të ka më shumë rëndësi Rregullorja e Punës e Kuvendit të Kosovës.
Në këtë mënyrë ajo ka qartësuar se për këtë temë do të marrë për bazë Rregullores e Punës së Kuvendit, e cila nuk flet askund për KQZ-së.
Duke folur për këtë çështje, ushtruesja e detyrës së presidentes vazhdimisht ka folur për “fuqinë politike” si shumë të rëndësishme në procesin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së.
Ky është edhe pretendimi i Lëvizjes Vetëvendosje, sipas së cilës, meqenëse në zgjedhjet e 28 dhjetorit ky subjekt ka fituar gjysmën e votave, i takon edhe gjysma e ulëseve shqiptare në KQZ.
“Unë mendoj që parimi i proporcionalitetit, pra përfaqësimi dhe fuqia politike janë shumë të rëndësishme në një proces. Përshembull, në Kuvendin e Kosovës ne kemi komisione parlamentare. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes i ka 5 anëtarë në komisionet parlamentare, PDK i ka dy, ndërsa të tjerët i kanë nga 1 anëtar. Ky është proporcionaliteti, përfaqësimi dhe fuqia politike, që del nga rezultati i zgjedhjeve, në këtë rast nga 28 dhjetori i vitit të kaluar”, ka thënë Haxhiu.
Rregullorja e Kuvendit për përbërjen e komisioneve parlamentare
Shembulli të cilit i referohet Haxhiu është neni 31 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ky nen flet vetëm për përbërjen e komisionit parlamentar, që sipas paragrafit 3, “reflekton fuqinë politike të grupeve parlamentare”.