Qendra Gjenocidi: Engel, zë i vendosur për dënimin e krimeve të Serbisë

Qendra Gjenocidi: Engel, zë i vendosur për dënimin e krimeve të Serbisë

Aktuale April 11, 2026 - 13:51

Qendra Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kongresmenit amerikan, Eliot Engel.

“Në këto çaste zie, shprehim ngushëllimet më të sinqerta popullit amerikan dhe sidomos qytetarëve të New Yorkut, të cilin e përfaqësoi për 16 mandate rresht në periudhën 1989-2021.  Në të njëjtën kohë ngushëllimet tona të thella u shprehim të gjithë shqiptarëve anekënd globit, të cilët humbën një mik të madh, një mbështetës të palëkundur dhe një zë të fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të tyre legjitime”, thuhet në telegramin ngushëllues.

Qendra çmon kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shqiptarëve. Gjithashtu ata kanë potencuar se Engel është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për drejtësi, paqe dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Ballkan.

“Ne nuk harrojmë faktin se kongresmeni Eliot Engel ishte ndër zërat më të vendosur në dënimin e krimeve dhe padrejtësive, përfshirë edhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, duke qëndruar gjithmonë në anën e së drejtës dhe së vërtetës. Trashëgimia e tij politike dhe njerëzore do të jetojë gjatë në kujtesën e të gjithë atyre që besojnë në lirinë, dinjitetin dhe drejtësinë”, vazhdon telegrami.