Lazim Destani: Eliot Engel, mik i madh i shqiptarëve, do t’i mungojë kauzës sonë
Biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani ka reaguar me një mesazh prekës pas ndarjes nga jeta të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një mik të madh të shqiptarëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Destani ka theksuar se Engel ishte një njohës i thellë i historisë dhe prejardhjes shqiptare, me të cilin kishte ruajtur miqësi për dekada.
“Mikun tim, Kongresistin Eliot Engel, por edhe mik i gjithë shqiptarëve, e njihja prej dekadash. E kemi vizituar dhe na ka vizituar, dhe gjithmonë ishte mbresëlënëse njohuria e tij e gjerë për trungun dhe rrënjët shqiptare”, ka shkruar Destani.
Ai ka vlerësuar lart kontributin e Engel për çështjen shqiptare, duke theksuar se ndikimi i tij do të mbetet i përhershëm.
“Ndikimi i tij është i madh dhe gjurmët e tij mbeten të përhershme për ne si shqiptarë. Pa dyshim do t’i mungojë shumë kauzës shqiptare në botë, por trashëgimia që ka lënë do të jetojë gjithmonë në histori dhe në vepër”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, Destani ka shprehur mirënjohje dhe lamtumirë për ish-kongresistin amerikan, duke e cilësuar atë si një mik të shquar të shqiptarëve./Zëri