Ende pa zgjidhje për presidentin
Derisa ditët po numërohen drejt fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit, asnjëra nga partitë nuk e bën të qartë se çfarë zgjidhjeje po ofron për këtë proces. Kryeministri Albin Kurti, i cili aktualisht ndodhet në vizitë zyrtare jashtë vendit, pritet që shumë shpejt të takohet me krerët e partive në vazhdën e diskutimeve për të gjetur një zgjidhje.
Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e bëjnë të qartë nëse ka sinjale për kandidat konsensual apo, në të kundërtën, do të vazhdohet me seancën e mbetur për zgjedhjen e presidentit, por theksojnë se do t’i shterojnë të gjitha mundësitë për të evituar zgjedhjet.
“Takimet kanë këtë synim: ta gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të dalim nga kriza e cila na ka përcjellë për disa javë. Sa i përket çështjes së presidentit, sapo kryeministri Kurti të jetë këtu pas takimeve në Londër, do të vazhdojë me takime dhe do të synojmë të kemi një zgjidhje sa i takon të parit të shtetit”, tha Driton Hyseni nga LVV.
Nga PDK dhe LDK nuk deklarohen nëse në takimet me Kurtin kanë emra konkretë për president.
“Kjo çështje është e mbyllur, meqë këtë temë e ka mbyllur z. Kurti; presidenten e ka zgjedhur, ajo është zonja Haxhiu, të cilën do të mundohet ta mbajë jo vetëm 3 muaj, por përtej asaj që është e specifikuar në Kushtetutë”, tha Artan Behrami, PDK.
“Ne ju kemi thënë që jemi të gatshëm të kontribuojmë në dialog dhe në zgjidhje, si dhe në dhënien e vendit institucionin e presidentit, për aq sa është përgjegjësia jonë. Përgjegjësia më e madhe i bie Vetëvendosjes, e cila është në pushtet dhe ka numrin më të madh të votave”, tha Jehona Lushaku nga LDK.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thekson se me një marrëveshje do të arrihej zgjidhje.
“Ai nuk e ka hapur paketën fare të Qeverisë, duke thënë se Qeverinë po e mban për vete, kur vjen puna te presidenti, urdhëroni të merremi vesh. Kjo shkon ndryshe, me atë që e fton për partneritet për president, bëhesh partner edhe në Qeveri”, tha Haradinaj.
Një takim tjetër mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, pritet të ndodhë në ditët në vijim./rtk