“Vetëm kushtëzimi e detyron Serbinë t’i dorëzojë sulmuesit”, thonë analistët
Foto: Laura Hasani

“Vetëm kushtëzimi e detyron Serbinë t’i dorëzojë sulmuesit”, thonë analistët

Aktuale April 10, 2026 - 22:26

Sulmi terrorist në Banjskë, u bë temë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB.

Nga disa shtete u bë thirrje që Serbia t’i dorëzojë kryerësit e këtij sulmi, në krye me Milan Radoiçiq.

E vetëm një presion i tillë ndërkombëtarë, vlerësohet se mund të bëjë punë.

“Ata duhet të dorëzohen, rrugë tjetër nuk ka sepse e kanë cënuar sovranitetin e Republikës së Kosovës. E kanë rrezikuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Andaj, unë mendoj se këtu rrugë tjetër nuk ka, ose të dorëzohen ose sipas mendimit tim të fillojnë sanksionet”, tha njohësi i sigurisë, Arben Dashevci.

Lëvizje pozitive nga Serbia në këtë çështje, konsiderohet se mund të ketë përmes kushtëzimeve.

“Do duhej të kishte një presion përmes një mekanizmi shtrëngues, qoftë përmes negociatave për anëtarësimin në BE, ose për marrëveshje të tjera që i bën Serbia me BE-në, por edhe me SHBA-në, apo me shtetet tjera veç e veç. Në qoftë se do të kishte kushtëzime atëherë ndoshta mund të bëhej diçka e tillë, por me aq sa e njohim Serbinë dhe i njohim veprimet e saj, nuk mendoj se mjafton vetëm një deklaratë, ani pse vjen edhe nga Këshilli i Sigurimit”, tha njohësi i çështjeve politike, Korab Blakaj.

Për Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, gjyqi për sulm terrorist është afër fundit.

Mirëpo, për 43 përgjegjësit e tjerë të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ende nuk ka filluar procedura gjyqësore.

Ndaj tyre, në fuqi mbetet fletërreshtimi ndërkombëtar./teve1