FSK-së i shtohen 17 deminerë të rinj pas përfundimit të trajnimit në Prizren
Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë shtuar 17 deminerë të rinj, pas përfundimit me sukses të kursit “Pastrimi i fushëbetejave dhe deminim bazik”.
Ceremonia e certifikimit u mbajt në kazermën “Lidhja e Prizrenit” në Prizren, ku pjesëtarët e rinj përmbyllën një trajnim gjashtëjavor, gjatë të cilit u aftësuan në përdorimin e pajisjeve dhe procedurat bazë të deminimit.
Të certifikuarit do t’i bashkohen Kompanisë së Deminimit në kuadër të FSK-së, duke rritur kapacitetet operacionale në këtë fushë të ndjeshme të sigurisë.
Në emër të Ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Ajeti uroi kursantët për arritjen, duke i inkurajuar që të vazhdojnë punën me përkushtim dhe profesionalizëm.
Ndërkaq, në emër të komandës së FSK-së, ushtruesi i detyrës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Astrit Haliti, përcolli urimet e zinxhirit komandues, duke e cilësuar misionin e deminerëve si fisnik dhe me rëndësi të veçantë për sigurinë e vendit.