Hyn në fuqi sistemi EES në Zonën Schengen, MPB-ja njofton qytetarët për rregullat e reja të udhëtimit

Hyn në fuqi sistemi EES në Zonën Schengen, MPB-ja njofton qytetarët për rregullat e reja të udhëtimit

Aktuale April 10, 2026 - 15:31

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga sot ka hyrë në zbatim të plotë Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES) i Bashkimit Evropian në të gjitha pikat kufitare të Zonës Schengen.

Sipas njoftimit, ky sistem, i cili kishte nisur të zbatohej gradualisht që nga 12 tetori 2025, tashmë është funksional në tërësi dhe zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave.

EES është një sistem i automatizuar dhe biometrik që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve që nuk janë pjesë e BE-së. Në kuadër të tij mblidhen të dhëna si gjurmët e gishtërinjve, fotografia e fytyrës dhe të dhënat e dokumentit të udhëtimit.

Ky sistem synon të forcojë kontrollin kufitar dhe të mundësojë identifikimin automatik të rasteve të tejkalimit të qëndrimit të lejuar në Zonën Schengen.

Ministria rikujton se qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore, por duhet të plotësojnë disa kushte.

Ndër to përfshihen posedimi i një pasaporte biometrike valide, e vlefshme të paktën tre muaj pas datës së kthimit, dëshmia për qëllimin e udhëtimit, sigurimi i mjeteve të mjaftueshme financiare, bileta e kthimit ose dëshmi për vazhdimin e udhëtimit, si dhe mungesa në listat e ndalimit të hyrjes në Schengen.

MPB-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë të informojë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me funksionimin e këtij sistemi. /Zëri