PDK-ja përshëndet miratimin unanim të Rezolutës për të vërtetën historike
Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur miratimin unanim të rezolutës në Kuvendin e Kosovës për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave të luftës.
Sipas njoftimit të PDK-së, bëhet e ditur se votimi i përbashkët i të gjitha grupeve parlamentare dëshmon se në çështje që prekin historinë dhe sakrificën kombëtare duhet të mbizotërojë uniteti institucional, raporton Zeri.info.
PDK-ja e cilëson këtë si një moment të rëndësishëm, ku Kuvendi tejkaloi dallimet politike për të mbrojtur të vërtetën dhe për të nderuar viktimat e luftës dhe familjet e tyre.
“Ky vendim dëshmon se, kur ka vullnet, institucionet mund të veprojnë së bashku në mbrojtje të vlerave themelore të shtetit”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
PDK-ja po ashtu thekson se e vërteta për luftën çlirimtare dhe respekti ndaj viktimave janë përgjegjësi të përhershme institucionale dhe morale, jo temë për përplasje politike. Në fund, kjo parti shprehet e përkushtuar që rezoluta të mos mbetet vetëm deklarative, por të gjejë zbatim në praktikë, duke falënderuar deputetët për mbështetjen unanime. /Zëri