Komisioni Ad-Hoc dështon të shqyrtojë listën e kandidatëve për anëtarë të KPM-së
Të premten Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) nuk shqyrtoi listën e kandidatëve, pasi nuk u finalizua një listë e administratës për ata që i plotësojnë kushtet dhe ata që nuk i plotësojnë.
Anëtarë të pranishëm të këtij komisioni ishin deputetët Alban Bajrami (kryetar i komisionit), Ariana Musliu Shoshi (zëvendëskryetare e parë), Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Egzon Azemi, Fitim Haziri, Nezir Kraki, Fridon Lala dhe Time Kadrijaj.
Fillimisht, kryetari i këtij komisioni Bajrami, tha se për sot kanë pritur që administrata të paraqesë një listë me kandidatët që i plotësojnë kushtet, e kush jo.
“Sot kemi pritë që administrata me e dhanë një lloj liste e cila e përshkruan cilët kandidat i plotësojnë kushtet cilët jo. Po këtu, ata e kanë bo përshkrimin, na mbetët neve me vendos se cilët kandidatë. Unë po them kështu, deri të martën për secilin dokumentacion që nuk e kanë sjellë ende, me ju dhanë kandidatëve mundësi me i sjellë edhe na të martën, tash masi i kem listat gjithsecili, këto lista i trajtojmë, ata të cilët i plotësojnë kushtet dhe i kanë sjellë dokumentet, futen në garë në listë, të mërkurën ose eventualisht të enjten, cilëndo ditë që e caktojmë si të favorshme”.
Në anën tjetër deputetet Musliu Shoshi dhe Kadrijaj thanë që listën e kandidatëve që i plotësojnë kushtet, duhet ta pranojnë nga ana e Departamentit Ligjor.
“Është praktikë që Departamenti Ligjor i trajton, nuk është punë e deputetit me i trajtu se kush i plotëson kushtet me kalu në fazën e intervistimit, e kush jo … Ata duhet me na e sjellë listën finale”, tha deputetja Kadrijaj.
Sidoqoftë, në fund pas diskutimeve, kryetari Bajrami tha se nuk do të kërkojnë nga administrata që të bëjnë listën, por tha se do ta trajtojnë në takimin e së martës.
“Këtë listë e trajtojmë të martën për shkak se sot është e pamundur, na vjen keq. Gjatë takimit e trajtojmë një nga një. Tashmë nga administrata nuk po kërkojmë që këta ta trajtojnë këtë listë, ne do të vendosim për gjithsecilin një nga një a i plotësojnë kushtet apo jo, për shkak se është ndoshta e padrejtë edhe prej neve me kërku që administrata me përcaktu … Është e padrejtë për shkak se po më njoftojnë se certifikata e lindjes nuk ka qenë kriter … kështu që të martën pasdite e caktojmë takimin edhe mbledhemi të gjithë se bashku”, tha Bajrami.
Më 8 prill ishte bërë konstituimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media (KPM).