Darkë zyrtare në Londër, Kurti falënderon Britaninë për mbështetjen ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, mbrëmë u prit në një darkë zyrtare nga ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Vernon Coaker, në “Naval and Military Club” në Londër.
Gjatë darkës, Kurti e falënderoi Lordin Coaker për mbështetjen historike të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke veçuar ndihmën për refugjatët, rolin e gjeneralit Michael Jackson në çlirim, si dhe kontributin pas luftës në shtetndërtim, zhvillim dhe integrim, raporton Zeri.info.
Kurti theksoi se Kosova synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes me Mbretërinë e Bashkuar, në funksion të vlerave dhe objektivave të përbashkëta.
Në këtë drejtim, ai përmendi bashkëpunimin në fusha specifike si trajnimet, bashkëzbarkimet dhe zhvillimi i kapaciteteve. /Zëri