Çështja e Presidentit, Haziri tregon se çka u fol në takimin Kurti–Abdixhiku
Foto: Laura Hasani

Çështja e Presidentit, Haziri tregon se çka u fol në takimin Kurti–Abdixhiku

Aktuale April 09, 2026 - 23:48

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se në ciklin e dytë të takimeve mes Kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK’së, Lumir Abdixhikut, për çështjen e presidentit, është diskutuar për marrëveshje mes këtyre dy partive.

Sipas Hazirit, takimi i parë ka qenë konstruktiv dhe se bisedimet do të vazhdojnë.

“Abdixhiku ka pas takime me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, në rastin e parë është biseduar për një proces konsensual e në rastin dytë po flitet për një marrëveshje LDK-LVV. Takimi i parë ka qenë në frymë konstruktive edhe në mundësi që roli jonë si LDK, si grup parlamentar me u afrua, konfirmon ftesës që Kurti e ka bë. Ftesa e njëjtë është thënë se do t’i përcillet edhe PDK-së dhe cikli i ri i takimeve do të vazhdojnë”, ka thënë Haziri.

Haziri ka thënë se nëse arrihet marrëveshje, LDK e zbaton, por ai ka thënë se insistimi i Kurtit se duhet një marrëveshje me mbi 84 deputetë, tregon për mosbesim të deputetëve brenda Grupit Parlamentar të LVV-së.

“Këtu është një problem i madh, mosbesim në deputetë jo të LDK-së, por brenda grupit më të madh politik. A ka deputet brenda grupit të Lëvizjes Vetëvendosje që janë shpreh kundra një procesi të ndërtuar me LDK-në?”, ka thënë Haziri në Tëvë1.

Ai është shprehur se për një marrëveshje për presidentin është vonë dhe sipas tij kjo do duhej të arrihej në muajin janar.

“Nëse me pyetni mua, ne jemi vonë. Çështja e presidentit ka mundur të definohet në janar. Na po flasim përtej mandatit ku kemi një ushtrues detyre tani dhe ku ka vullnet politik është dashur të kryhet me grupe politike në janar”, ka thënë Haziri.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se do ta thërras seancën sapo të krijohen kushtet.

“Tash i kemi më pak se 20 ditë në dispozicion, është shumë e rëndësishme që të përpiqemi të gjejmë zgjidhje. Do ta thërras seancën e Kuvendit, sapo të kemi plotësim të kushteve…Lehtësimin e takimeve mund ta bëjë, por nuk mund të ndërhyjë në qëndrimet e partive politike”, ka deklaruar Haxhiu.