Kushtetuta e Kosovës pas 18-vitesh, sfida, shkelje dhe vakume ligjore
Kushtetuta e Kosovës konsiderohet ndër më modernet në rajon. E miratuar 18 vite më parë, e ka përcaktuar Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, ku respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut është vlerë themelore.
Profesori Arsim Bajrami, një nga hartuesit e Kushtetutës, thotë se, pavarësisht rolit shtetformues, Kosova ka përjetuar sfida gjatë këtyre viteve. Një nga sfidat kryesore kanë qenë shkeljet e Kushtetutës.
“Ka pasur shkelje kushtetuese nga të tre pushtetet, dhe është e vërtetë që institucionet nuk kanë qenë gjithmonë të paprekshme, sepse qytetari zakonisht nuk ka mundësi të shkelë Kushtetutën, pasi nuk është i investuar me pushtet. Gjatë këtyre 18 viteve kemi pasur shumë ligje që kanë qenë anti-kushtetuese, dy presidentë të larguar për shkelje serioze të Kushtetutës, dhe dhjetëra vendime anti-kushtetuese të qeverive, madje edhe të pushteteve lokale. Çfarë tregon kjo. Tregon se politika, demokracia dhe partitë tona ende nuk janë mjaft demokratike”, ka thënë Bajrami.
Kosova si shtet i ri është përballur me shkelje serioze nga institucione të ndryshme. Parlamenti ka miratuar disa ligje në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa dy presidentë, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli, janë shkarkuar për shkelje të saj.
Gjykata ka marrë edhe vendime të tjera historike. Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e dërguar nga presidentja Atifete Jahjaga për vlerësim kushtetues, u gjet se përmbante 23 pika në kundërshtim me Kushtetutën. Një vendim tjetër i rëndësishëm lidhet me mandatin e deputetit Etem Arifi, që çoi në rënien e qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti.
Nga qershori i vitit 2025, deri në janarin e 2026-s, Kushtetuesja u përgjigj për pesë raste që lidheshin vetëm me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Gjykata e shfuqizoi dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të kuvendit, hodhi poshtë kërkesën e kryetares së Kuvendit Albulena Haxhiu për mospjesëmarrjen e deputetëve në seancën për zgjedhjen e presidentit, ndërsa shpalli të papranueshme kërkesën e Vjosa Osmanit rreth emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Përveç proceseve politike brenda institucioneve, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese rrëzuan edhe dhjetëra ligje të Kuvendit.
Në 18 vjet, Kushtetuta ka plotësuar nevojat e shoqërisë, por njohësit theksojnë se disa vakume duhet të adresohen përmes amendamenteve, për t’iu përgjigjur zhvillimit të shtetit të Kosovës. /rtk