Ahmeti, letër ndërkombëtarëve për zhvillimet në Maqedoni të Veriut
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) bën të ditur se kryetari i saj, Ali Ahmeti, u ka dërguar një letër të hapur partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë lidhur me zhvillimet e fundit politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit, letra – e datës 3 prill 2026 – i është përcjellë jo vetëm opinionit vendor dhe ndërkombëtar, por edhe ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në vend, si dhe liderëve botërorë dhe personaliteteve të njohura ndërkombëtare.
Në hyrje, kryetari Ahmeti thekson përkushtimin e vazhdueshëm të BDI-së ndaj zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërtimit të një shteti demokratik dhe multietnik, si dhe integrimit euroatlantik të vendit. Ai shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit politike që prekin këto arritje, përfshirë heqjen e mekanizmit të balancuesit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve, sfidat në funksionimin e institucioneve që zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe iniciativat për minimin dhe kontestimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.