Kurti takoi drejtoren e NATO-s për Operacione, FSK-ja po përgatitet për misionin në Gaza
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, ku është diskutuar bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Aleancës Veri-Atlantike, si dhe procesi i forcimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka shprehur falënderime për angazhimin e NATO-s në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, duke vlerësuar rolin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) në Kosovë.
Në këtë takim është diskutuar edhe thellimi i bashkëpunimit, me theks në mundësinë që pjesëtarë të FSK-së të ndjekin trajnime ushtarake, edukative dhe profesionale në institucionet e NATO-s, si dhe avancimi i kapaciteteve të forcës në përputhje me standardet e aleancës.
Kurti ka theksuar se FSK-ja ka demonstruar performancë të lartë në misione ndërkombëtare, duke përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ai ka shtuar se FSK-ja është në përgatitje edhe për misionin në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, si dhe për trajnime të personelit ukrainas në fushën e deminimit dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Kurti ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për integrim në NATO, duke e cilësuar këtë si një nga prioritetet strategjike të vendit.
Ndërkohë, drejtorja e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, ka falënderuar kryeministrin Kurti për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë, duke vlerësuar lartë angazhimin e FSK-së në misionin stabilizues në Gaza.