Kurti takon drejtoren e NATO-s për Operacione, flasin për thellimin e bashkëpunimit dhe rolin e FSK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren.
Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohje për angazhimin e NATO-s në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, duke theksuar edhe rolin e rëndësishëm të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) për Ministrinë e Mbrojtjes.
Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit, ai ngriti çështjen e mundësive për avancimin profesional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përmes trajnimeve në institucionet e NATO-s, si dhe rritjen e kapaciteteve të saj në përputhje me standardet e aleancës.
Kurti theksoi se FSK-ja ka dëshmuar performancë të lartë në misione ndërkombëtare, duke përmendur angazhimet në Kuvajt, Belize, Ishujt Falkland dhe Turqi. Ai shtoi se aktualisht po bëhen përgatitje për një mision në Gaza, si pjesë e një force ndërkombëtare stabilizuese, si dhe përmendi trajnimet për personelin ukrainas në fushën e çminimit dhe kërkim-shpëtimit.
Kurti ritheksoi përkushtimin e Kosovës për integrim në NATO.
Nga ana tjetër, Hallengreni vlerësoi bashkëpunimin dhe bashkërendimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, duke përgëzuar vendimin për përfshirjen e FSK-së në misionin stabilizues në Gazë. /Zëri