Caktohet mbledhja për shqyrtimin e dokumentacionit të kandidatëve të KPM-së, opozita kundërshton afatin

Caktohet mbledhja për shqyrtimin e dokumentacionit të kandidatëve të KPM-së, opozita kundërshton afatin

Aktuale April 08, 2026 - 14:17

Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të KPM-së ka caktuar për të premten mbledhje, ku do të bëhet shqyrtimi i dokumentacionit për kandidatët e Komisionit të Pavarur të Mediave për të premten në orën 09:00.

Kundër kësaj ishin deputetët e opozitës, Ganimete Musliu dhe Ariana Musliu-Shoshi nga PDK-ja, deputeti Ermal Sadiku nga LDK-ja.

“Mendoj që duhet të kemi kohë të mjaftueshme për trajtimin e materialeve, shqyrtimin e materialeve, të jemi të sigurt që nuk po bëjmë shkelje ligjore në bazë të rregullores së Kuvendit. Dhe sa i përket kohës së kandidatëve, unë mendoj që kandidatët kanë aplikuar dhe e kanë me prioritet këtë çështje. Mjafton dy ditë, tri ditë me i njoftuar më përpara, por nuk kemi nevojë me ua rregullu agjendën private të tyre se kur ata vijnë në intervistë. Ata vendosin a dojnë me ardhë a s’dojnë me ardhë. Nuk është çështje e komisionit parlamentar që ne me u koordinu me agjendat e tyre private”, tha Musliu.

“Fillimisht, faleminderit që kësaj radhe na i keni dhënë të gjitha dokumentet paraprakisht dhe jo t’i shqyrtojmë pjesë-pjesë siç kanë ardhur kohëve të fundit kur na është kërkuar me bë vlerësimin e tyre. Pajtohem me Ganën që na duhet një kohë pak më e gjatë që t’i analizojmë CV-të e tyre dhe të sigurohemi që nuk po bëjmë shkelje ligjore, edhe pse personalisht kisha preferuar shumë më shpejt t’i kryejmë, mbase s’kishim pasur nevojë të jemi këtu deri tani. Mirëpo, do t’i jap komentet e mia përmes email-it nëse nuk kemi çka me shtu tjetër”, tha Musliu-Shoshi. /eo