Kurti: Kryetar në veri bëhesh vetëm me zgjedhje të Republikës së Kosovës
Foto: Laura Hasani

Kurti: Kryetar në veri bëhesh vetëm me zgjedhje të Republikës së Kosovës

Aktuale April 08, 2026 - 14:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas përurimit të Zyrës së re të Administratës Tatimore të Kosovës në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se institucionet e vendit funksionojnë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Ne punojmë për të gjithë qytetarët dhe unë nuk jam mbi ligjin. Koha para Qeverisë sonë nuk ka qenë normale. Nuk them se tani është gjithçka normale, por sigurisht se gjithçka po normalizohet. Kjo sepse ligji nuk është ai që e ndan shoqërinë në ata që nuk janë të mbrojtur dhe në ata që askush nuk guxon t’i prek. Ai në fakt bashkon shoqërinë me barazi dhe drejtësi të barabartë për të gjithë. Nuk mund ta jepni asnjë shembull ku organet e pushtetit: policia e Kosovës, e tani edhe Administrata Tatimore nuk u shërben të gjithëve njëjtë dhe profesionalisht”, tha Kurti i pyetur nga gazetarët serbë nëse në veri ka demokraci.

Ndërkaq, i pyetur nëse e ka vizituar kryetarin e komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, ai ka thënë se ende nuk e ka bërë një gjë të tillë, por ka thënë se është me rëndësi të kuptohet se në komunat në veri mund të bëhesh kryetar, por vetëm përmes zgjedhjeve në Republikën e Kosovës.

“Ka qenë një transferim paqësor i pushtetit. Pra, do të thotë se në komunat në veri të Ibrit mund të bëhesh kryetar komune, mund të bëhesh asamblist, mund të bëhesh drejtor, por vetëm nëpërmjet zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, tha ai.