Komisioni për Legjislacion të martën dhe të mërkurën interviston kandidatët për anëtarë të KGJK-së
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh anëtar i Komisionit për Legjislacion, Besnik Tahiri, ka njoftuar se të martën dhe të mërkurën e javësh së ardhshme do të intervistohen në Komisionin për Legjislacion 23 kandidatë për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Këtë Tahiri e ka bërë të ditur përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, ky proces intervistimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rendin dhe ligjin në Kosovë.
Postimi i plotë i Tahirit, pa ndërhyrje:
Sot, Komisioni për Legjislacion, pas shqyrtimit të aplikimeve, ka caktuar intervistimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Të martën dhe të mërkurën do të intervistohen gjithsej 23 kandidatë.
Ky proces intervistimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rendin dhe ligjin në Kosovë, pasi bëhet fjalë për një institucion shumë serioz dhe me rol kyç në garantimin e sundimit të ligjit në vend. /Zëri