Tahiri: Kurti po e dramatizon situatën, kërkesa për 85 vota është telenovelë
Foto: Laura Hasani

Tahiri: Kurti po e dramatizon situatën, kërkesa për 85 vota është telenovelë

Aktuale April 07, 2026 - 14:23

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se PDK-ja ka qenë dhe është konstruktive sa i përket zgjedhjes së presidentit Deputeti Tahiri tha se Kurti nuk ka qasje serioze për të gjetur zgjidhje.

Sipas tij, Kurti është i interesuar ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“PDK-ja ka qenë shumë konstruktive, shumë pozitive dhe transparente, si para takimeve, gjatë takimeve, ashtu edhe pas tyre. Pra, ka prezantuar shumë hapur qëndrimet e saj. Ndërsa, secila tendencë për ta keqinterpretuar qëndrimin e PDK-së tregon nga pala tjetër se nuk ka qasje serioze dhe nuk është e interesuar që seriozisht t’i ofrojë vendit president dhe t’iu shmanget zgjedhjeve. Pra, i shoh si taktika të Kurtit për ta dramatizuar situatën dhe, në anën tjetër, për ta dërguar vendin në zgjedhje”, tha ai.

Deputeti Tahiri e ka quajtur telenovelë të Kurtit kërkesën e tij se nevojiten 84 apo 85 vota të sigurta për zgjedhjen e presidentit.

“Vazhdim i telenovelave për ta humbur vëmendjen dhe për të krijuar situata të paarsyeshme, por ne e dimë se konsensusi arrihet me 80 vota dhe se të mjaftueshme janë 80 vota”, theksoi Tahiri.

Ndërsa, sa i përket mundësisë së një takimi Kurti-Hamza, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se fillimisht duhet të ketë ftesë zyrtare, pastaj një kërkesë e tillë do të shqyrtohet në parti.

“Nuk është se është treguar seriozitet dhe respekt, pra është abuzuar me bashkëpunimin dhe konstruktivitetin e PDK-së. Ndërsa tani qëndrimi është se duhet të ketë shkresë zyrtare drejtuar PDK-së, përkatësisht kryetarit, dhe më pas PDK-ja do ta trajtojë në organet e saj kërkesën dhe do të dalë me qëndrim”, ka deklaruar Tahiri. /rtv21