Për herë të parë në QKUK, konfirmohet shtatzëni pas procedurave IVF
Për herë të parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është konfirmuar një shtatzëni pas procedurave të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF).
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ky sukses sjell shpresë për shumë gra që presin të bëhen nëna.
Reparti i Fekondimit In Vitro në Klinikën e Gjinekologjisë është shndërruar në shpresë për shumë çifte që dëshirojnë të kenë fëmijë. “Në këtë hapësirë kryhet një nga metodat më moderne të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor, e cila përdoret për të ndihmuar çiftet që kanë vështirësi për të mbetur shtatzënë në mënyrë natyrale”, tha drejtori i Klinikës, Zef Ndrejaj.
Ai shtoi se deri më tani janë ekzaminuar dhe trajtuar mbi 2,100 paciente me probleme të infertilitetit. Reparti është i ri dhe i pajisur me teknologji moderne bashkëkohore për realizimin e procedurave, ndërsa interesi nga çiftet është i lartë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se kjo procedurë ka sjellë rastet e para të suksesshme të shtatzënisë falë aparaturave moderne.
“Fillimisht, kur IVF ishte vetëm një ide, shumica thoshin se ishte e pamundur. Sot kemi rastin e parë të suksesshëm, një shtatzëni e konfirmuar, e realizuar në një laborator modern dhe në një njësi bashkëkohore në Klinikën e Gjinekologjisë”, tha mes të tjerash Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë.
Shërbimi i IVF-së ka filluar funksionimin në fillim të vitit të kaluar, duke trajtuar rastet e para të infertilitetit te çiftet në bashkëshortësi. Ky trajtim vlerësohet i rëndësishëm, pasi ndihmon në uljen e kostove për familjet.
Ndryshe nga klinikat private, ku një procedurë kushton mijëra euro, në Klinikën e Gjinekologjisë dy procedurat e para ofrohen falas. /rtk