VLEN: Protesta e studentëve po e nxjerr në shesh mashtrimin 20-vjeçar
Koalicioni VLEN ka reaguar lidhur me protestën e studentëve, duke e cilësuar atë si pasojë të dështimeve të qeverisjeve të kaluara dhe duke akuzuar BDI-në për keqpërdorim të situatës.
“Kur studentët dalin në protestë, kjo flet më shumë për dështimin e atyre që për vite kishin pushtetin, sesa për ata që sot po punojnë për të gjetur zgjidhje”, thuhet në reagim.
Sipas VLEN-it, BDI po përpiqet të përfitojë politikisht nga pakënaqësia e studentëve për një problem që, siç theksohet, vetë nuk e ka zgjidhur për vite me radhë.
“BDI sot po e instrumentalizon pakënaqësinë e studentëve dhe po përpiqet të përfitojë politikisht nga një problem që vetë e ka lënë zvarrë. Kjo është skandaloze”, thuhet më tej.
Në reagim theksohet se kjo parti ka pasur mundësinë dhe mekanizmat për ta zgjidhur çështjen, por nuk e ka bërë.
“Kishte ministra, institucione, mekanizma dhe gjithë pushtetin e nevojshëm për ta mbyllur këtë çështje njëherë e mirë. Nuk e bëri. Jo pse nuk mundi, por sepse ishte e zënë me hajni, me Soravi, me blerje pronash dhe me pazare për llogari të klikës së vet”, thuhet në deklaratë.
VLEN e konsideron protestën si të ligjshme dhe kërkon që zëri i studentëve të dëgjohet.
“Zëri i tyre duhet dëgjuar, jo të përdoret si vegël propagandistike nga ata që vetë e krijuan problemin”, thuhet në reagim.
Tutje, bëhet e ditur se po punohet për zgjidhjen e çështjes së dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Për çështjen e mundësisë që të diplomuarit në juridik ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, tashmë po punohet seriozisht për një zgjidhje të qëndrueshme, ligjore dhe institucionale. Jo arnim. Por zgjidhje”, thuhet në deklaratë.
Në fund, VLEN kritikon qasjen e deritanishme ndaj politikave gjuhësore dhe u bën thirrje faktorëve politikë që të mos i përdorin studentët për interesa ditore.
“Politika gjuhësore në vend është ndërtuar mbi zgjidhje gjysmake. Dhe ligjet gjysmake japin padrejtësi të plota”, thuhet në reagim, duke shtuar: “U bëjmë thirrje të gjithë faktorëve politikë të mos fshihen pas studentëve dhe të mos i përdorin për interesa ditore.”