Pas Kurtit, Abdixhiku thotë se do t’i vazhdojë konsultimet edhe me liderët e tjerë politikë për çështjen e presidentit
Gjatë ditës së sotme kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kreu i ekzekutivit Albin Kurti është takuar me të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për çështjen e presidentit, shkruan Zeri.info.
Pas këtij takimi, Abdixhiku përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se partia që ai e drejton do ta vazhdojë angazhimin për stabilitet institucional dhe për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese në kohë.
Madje Abdixhiku ka thënë se do të takojë edhe liderët e të gjitha partive politike.
“Kemi vetëm tre javë në dispozicion; një afat që kërkon përgjegjësi, seriozitet dhe gatishmëri për zgjidhje. Në funksion të këtij angazhimi, përveç takimit të sotëm, do të vazhdoj konsultimet me të gjithë liderët politikë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. LDK-ja do të jetë e përkushtuar në secilën ditë të mbetur”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.
Reagimi i plotë i Abdixhikut, pa ndërhyrje:
LDK-ja do të vazhdojë të jetë e angazhuar për stabilitet institucional dhe për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese në kohë.
Kemi vetëm tri javë në dispozicion; një afat që kërkon përgjegjësi, seriozitet dhe gatishmëri për zgjidhje.
Në funksion të këtij angazhimi, përveç takimit të sotëm, do të vazhdoj konsultimet me të gjithë liderët politikë për zgjedhjen e presidentit të Republikës. LDK-ja do të jetë e përkushtuar në secilën ditë të mbetur.
LDK-ja beson se vendi ka nevojë për një President që përfaqëson unitetin, garanton balancën institucionale dhe respekton frymën kushtetuese të Republikës. Zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për të gjithë dhe në shërbim të stabilitetit të vendit. /Zëri