“Fillkov dorëheqje”, “Gjuha shqipe nuk negociohet” - protestojnë studentët shqiptarë në Shkup

“Fillkov dorëheqje”, “Gjuha shqipe nuk negociohet” - protestojnë studentët shqiptarë në Shkup

Aktuale April 06, 2026 - 14:00

Në Shkup protestojnë studentët shqiptarë të tri universiteteve, UT, UEJL dhe UNT, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Studentët kërkuan dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov, i cili ka deklaruar se nuk do të lejojë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Studentët thanë se vetëm kërkojnë zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

"Kjo protesta duhej të ndodhte dikur. Nuk duhej të mendohej që në vitin 2026 studentët të dilnin në rrugë për gjuhën e tyre. Para se të jemi studentë e profesionistë, ne jemi shqiptarë. Gjuha shqipe nuk është mënyra se si flasim, është mënyra si kemi ekzistuar, qëndruar dhe si kemi ardhur deri këtu. Gjuha shqipe nuk negociohet. Ne jemi studentë të drejtësisë, ne jemi ata që nesër do të mbrojmë ligjin, por sot kërkojmë të drejtën tonë, të drejtën tonë për gjuhën amtare. Një shtet që nuk zbaton të drejtat e veta, nuk mund të ekzistojë. Ne nuk jemi kundër askujt, ne jemi këtu për veten dhe për gjuhën tonë", tha studenti Mevlan Ademi.

"Kërkesa jonë është e thjeshtë, respektojeni Kushtetutën dhe ligjin, as më shumë e as më pak. Kolegët tanë kanë të drejtë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, çdo zvarritje është përpjekje për ta mohuar një të drejtën tonë", tha studenti Besar Sejdiu, kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit "Nënë Tereza".

"Sot jemi këtu, jo si individë të ndarë, por si zë i përbashkët i studentëve që kërkon të drejtën legjitime. Është moment reflektimi për të gjithë faktorët institucional. Është moment reflektimi për ministrin Fillkov, pasi ne dimë edhe të rebelohemi. Është thirrje për kryeministrin Hristijan Mickoski, që të mos e trajtojë këtë çështje vetëm në kuadër të deklaratave, por të angazhohet për zgjidhje reale. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se të drejtën tonë, këtë duhet ta kuptojë edhe çdo politikan shqiptar. Ne kërkojmë zgjidhje, jo justifikime", tha Besjan Rexhepi, kryetari i Parlamentit Studentor të UEJL-së. /Telegrafi