Rama prezanton librin “Në Sofrën e Hënës”: E shkrova nga dashuria për gjuhën shqipe

Rama prezanton librin “Në Sofrën e Hënës”: E shkrova nga dashuria për gjuhën shqipe

Aktuale April 05, 2026 - 22:32

Kryeministri Edi Rama është rikthyer para publikut me një botim të ri, librin “Në Sofrën e Hënës”, një përmbledhje e fjalimeve të mbajtura gjatë darkave të iftarit.

Rama u shpreh se arsyeja kryesore e këtij botimi lidhet me dashurinë e tij për gjuhën shqipe.

“Jam një njeri që e dua gjuhën dhe gjej tek gjuha amtare arsye për ta shkruar atë. Më jep kënaqësi edhe një mesazh i thjeshtë, por sidomos kur ajo që shkruaj mbetet e printuar në një libër”, tha Rama, duke theksuar se nuk e krahason veten me autorë të tjerë, përfshirë Ismail Kadare.

Kryeministri ndau edhe kujtime nga periudha e komunizmit, kur librat e ndaluar lexoheshin fshehurazi. Ai tregoi episode konkrete mbi mënyrat kreative që përdornin për të siguruar dhe lexuar këto libra, duke i cilësuar ato si burim frymëzimi për artin dhe formimin e tij.

Sa i përket leximit sot, Rama pranoi se koha dhe mënyra e të lexuarit kanë ndryshuar ndjeshëm, duke theksuar se leximi i tij është më i orientuar nga detyra dhe shpesh realizohet edhe përmes platformave digjitale.

Ai u ndal edhe te raporti me dijen, duke e përkufizuar atë më shumë si kuriozitet sesa si pasion akademik, ndërsa nënvizoi se mbetet i lidhur fort me gjuhën shqipe dhe kënaqësinë që i jep përdorimi i saj.

“Për hir të së vërtetës sot ka ndryshuar çdo gjë dhe nuk është veç për mua por për shumicën dërrmuese të njerëzve. Ata që kanë akoma aftësinë dhe fuqinë që të izolohen për të vazhduar të lexojnë libra rregullisht janë me shumë fat. Ndërkohë që unë lexoj, por jo në mënyrë sistematike më. Dhe prej kohësh tanimë jam i fokusuar vetëm në disa drejtime që lidhen me atë që bëj, sepse më duhet të lexoj më shumë për shkak të detyrës se sa për dëshirë apo kuriozitet. Dhe patjetër që një pjesë e lexoj në libra, ndërsa një pjesë jo të vogël e lexoj përmes telefonit”, tha Rama.

Kryeministri foli gjithashtu për interesin e tij për tekstet fetare, duke përmendur se ka lexuar Biblën që në kohën e librave të ndaluar, ndërsa më vonë është njohur edhe me Kuranin, për të kuptuar më mirë fenë islame dhe për të reflektuar mbi perceptimet rreth saj.

Ai thotë se është pagëzuar katolik nga gjyshja e tij, e megjithatë nuk është nga ata të krishterë që zë radhën për të hyrë te dera e Kishës.

“Kështu që kjo më ndihmon që të shoh pa asnjë rezervë edhe fetë e të tjerëve dhe të kuptoj se tek fetë e të tjerëve faktikisht reflektohet i njëjti Zot”, thotë kryeministri.

I pyetur nëse e beson gjykimin që vjen në fund ai përgjigjet: “Unë e besoj gjykimin që vjen në fund, por varet nga kush”.

Rama theksoi se këto lexime kanë qenë pjesë e një kërkimi personal dhe intelektual, të nxitur nga kurioziteti dhe nevoja për të kuptuar më thellë fenomene të ndryshme shoqërore dhe kulturore.

Duke folur për ndikimin e zhvillimit teknologjik, Rama theksoi se rritja e fuqisë së internetit dhe përparimet shkencore nuk e kanë ulur besimin e njerëzve në Zot. Sipas tij, ka studime që tregojnë se sot ka më shumë njerëz që besojnë, por një pjesë e tyre nuk e lidhin më besimin me institucionet fetare tradicionale.

Kryeministri u ndal edhe te sfidat sociale, duke theksuar se polarizimi mes të pasurve dhe të varfërve po bëhet gjithnjë e më i theksuar në shoqëritë moderne.

“Përqendrimi i pasurisë në gjithnjë e më pak njerëz dhe thellimi i hendekut social janë pasoja të konkurrencës së lirë dhe globalizimit. Ndërkohë, ekspozimi i vazhdueshëm në rrjetet sociale e bën këtë diferencë edhe më të dukshme dhe rrit ndjesinë e konfliktit”, tha Rama.

Rama vlerësoi gjithashtu rolin e besimit dhe komuniteteve fetare në forcimin e vlerave shoqërore dhe në krijimin e energjive pozitive në jetën e përditshme të njerëzve.

I pyetur se ai vetë predikon shpesh ndjekjen e së mirës dhe të së drejtës. Në rolin e Kryeministrit, sa gjithmonë është i arritshëm ky qëllim?

Kryeministri deklaroi se në ushtrimin e detyrës publike është gjithmonë e mundur të shmanget zgjedhja e së keqes apo e padrejtësisë me qëllim, edhe pse vendimmarrja jo gjithmonë rezulton e pagabueshme.

Rama u shpreh se gabimet mund të ndodhin në mirëbesim, por thelbësore mbetet qëllimi i drejtë në vendimmarrje.

“Është gjithmonë e arritshme që të mos zgjedhësh të keqen apo të padrejtën me qëllim. Mund të ndodhë që në mirëbesim të marrësh vendime që nuk sjellin rezultatet e duhura, por kjo është pjesë e përgjegjësisë”, theksoi ai.

Duke komentuar konfliktet globale, Rama u shpreh se ato nuk burojnë nga fetë, por nga injoranca, ndërsa theksoi se rruga e njeriut mbetet përpjekja për t’u përmirësuar dhe për të lënë gjurmë në shoqëri.

Ai iu referua edhe idesë së njohur se “e bukura do ta shpëtojë botën”, duke e cilësuar atë si një besim dhe jo si një formulë konkrete, pasi sipas tij, arti, letërsia dhe shkenca nuk kanë arritur të ndalojnë luftërat, por mbeten udhërrëfyes në përpjekjen njerëzore për zhvillim dhe përsosje.

Kryeministri theksoi se në thelb jeta është çështje zgjedhjesh, ndërsa njeriu ka lirinë për të vendosur mbi veprimet e tij dhe për të përballuar pasojat e tyre.

Rama u ndal edhe te koncepti i gjykimit, duke u shprehur se ai beson tek gjykimi që vjen nga njerëzit që të njohin apo që vlerësojnë gjurmët që lë pas.

“Në fund të ditës, ajo që mbetet është kujtimi i mirë”, tha ai, duke sjellë në vëmendje një thënie të të atit.

Sa i përket projektit “Parku i Besimit”, Rama u shpreh se bëhet fjalë për një investim kompleks që kërkon kohë për t’u realizuar, ndërsa shtoi se shpreson që puna për ndërtimin e tij të nisë sa më shpejt.

I pyetur për një libër të ri, Kryeministri u shpreh se nuk ka një plan konkret, por la të kuptohet se një botim tjetër mund të vijë natyrshëm në të ardhmen./TCH