Drejt përjetësimit të gjurmëve të luftës [video]

Drejt përjetësimit të gjurmëve të luftës [video]

Aktuale April 05, 2026 - 08:21

Një vepër monumentale e luftës çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit ishte themelimi i Spitalit Ushtarak në fshatin Irzniq, ku u trajtuan të gjithë luftëtarët e lirisë, të plagosur nëpër vijat e fronteve të luftës. Ismet Haskaj, invalid i luftës së UÇK-së është vetëm njëri prej tyre i cili më 11 gusht 1998 u plagos rëndë në betejën e Gërdajave.

Ismeti ende i ruan të freskëta kujtimet e asaj kohe kur po luftonte me vdekjen e sigurtë, por fal intervenimit të stafit mjekësor do t’u mbijetonte plagëve të marra.

“Meqenëse granata më kishte kapur këtu në kokë, dorën pothuajse ma kishte këputur, ndërsa këmbën e majt ma kishte kthyer komplet në anën tjetër. Këtu duhet të falënderoj mjekun Ilmi Shehu, i cili në veçanti është kujdesur që këmbën të mos e amputojnë, pra të mos ma këputin meqenëse mjeku i cili ishte kirurg rekomandoj sepse kisha shumë gjakderdhje”, tha Ismet Haskaj, invalid i luftës së UÇK-së.

Meqenëse ato ditë komanda e Zonës në Dukagjin llogariste që lufta çlirimtare do të zgjaste më shumë, në koordinim me eprorët ushtarak të Irzniqit dhe stafin mjekësor, menduan ndërtimin e një spitali të ri nëntokësor i cili do të ofronte kushte më të mira për shërimin e të plagosurve.

“Ne u shndërruam në Spital Ushtarak gjithpërfshirës këtu dhe komandanti thoshte se lufta mund të zgjaste me vite, atëherë u lind si ide dhe nevojë imediate që të ndërtohet një spital bunker dhe këtu filluam. Beqir Berisha ishte arkitekti i cili e realizoi projektin dhe udhëhoqi punimet e këtij spitali me miratimin e komandantit dhe njëkohësisht pothujase pjesën dërmuese i siguroi Ramush Haradinaj”, tha dr. Selmon Berisha, mjek i luftës së UÇK-së.

“Në një konsultë shumë të shkurtër e pamë vendin, erdhëm dhe filluam punën. Filluam bazën në pjesën ku shihet terreni, filluam dhe muret mirëpo për shkak të rrethanave të luftës pastaj pati ndërprerje dhe nuk arritëm që ta jetësojmë. Sidoqoftë këtu mendoj se kanë mbetur gjurmët e kohës, sepse është njëra prej gjurmëve faktike të rrethanave shumë të rënda të luftës së UÇK-së në Dukagjin”, tha Beqir Berisha, arkitekt.

Spitali Ushtarak në lagjen e Dodajve në Irzniq, u themelua më 22 prill 1998, ndërsa i plagosuri i parë që u trajtua aty ishte eprori i lartë i UÇK-së, Shkëlzen Haradinaj, sot hero i kombit./rtk