Arben Mustafa: Rritja e çmimeve po ndodh si pasojë e mosveprimit nga Qeveria
Foto: Laura Hasani

Arben Mustafa: Rritja e çmimeve po ndodh si pasojë e mosveprimit nga Qeveria

Aktuale April 03, 2026 - 14:41

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës për çmimet e derivateve të naftës foli deputeti Arben Mustafa.

Mustafa në foltoren e Kuvendit tha se rritja e çmimeve po vjen si pasojë e mosveprimit nga Qeveria.

“Po kalojmë në një valë të re të rritjes së çmimeve. Dhe kjo rritje e çmimeve nuk po vjen vetëm nga jashtë, po vjen nga brenda si pasojë e mosveprimit të kësaj qeverie. Dhe kjo nuk është hera e parë. Ngjashëm ka ndodhur në vitin 2022. Edhe atëherë e latë inflacionin të shpërthejë lirshëm, ndërsa qytetarët i latë të vetëm të ballafaqohen me rritjen e çmimeve.

Çmimi i naftës ka rritur rreth 1.80 cent për litër me sa i pashë disa raportime edhe me 2 euro. Për një ndër vendet më të varfra në Evropë, ky çmim i naftës është i papërballueshëm. Por problemi nuk qëndron vetëm te nafta. Kur rritet çmimi i naftës, rritet kostoja e transportit, rritet kostoja e prodhimit, kostoja e furnizimit, dhe si rezultat rriten çmimet e të gjitha produkteve që qytetarët i konsumojnë. Por në këtë rritje zinxhirore, shteti nuk është vetëm spektator, shteti është edhe përfitues. Është përfitues për shkak se nga 1 euro e 80 për një litër naftë që paguan qytetari, rreth 60 cent janë taksa që i merr shteti nga qytetarët. Pra përherë që një qytetar furnizohet me naftë, ai nuk paguan vetëm karburantin, por paguan edhe taksat për buxhetin e shtetit.

Kjo do të thotë se sa më shumë që rritet çmimi i naftës, aq më shumë rriten edhe të hyrat e shtetit. Dhe përderisa familjet detyrohen të reduktojnë shpenzimet bazike, përderisa bizneset përballen me kosto më të larta dhe bujqit hyjnë në sezon me kosto të rënduara financiare, përfituesja e vetme e kësaj rritje të çmimeve është qeveria të cilës i rriten të hyrat buxhetore. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi kryesor”, tha Mustafa.