Hoti: Qeveria po vonon me masat për çmimet e larta të derivateve
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës për çmimet e naftës kritikoi Qeverinë për mosndërmarrje masash për t‘i përballur çmimet nga situata në botë.
Hoti në foltoren e Kuvendit shpjegoi për ndikimet e çmimeve si pasojë e krizave.
“Çmimet e derivateve janë rritur me 40% krahasuar më datën 28 shkurt, kur ka filluar lufta në Ukrainë. Dhe natyrisht, menjëherë pas kësaj, kostot e prodhimit dhe të operimit të bizneseve kanë filluar të barten tek çmimet e konsumit edhe tek çmimet e produkteve të ndërmjetme. Tani natyrisht, për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale, përvoja ka treguar që efekti zinxhir është bukur i shpejtë deri tek konsumatori i fundit dhe në mbarë botën. Kështu, pa asnjë dyshim, ne presim dhe janë analiza të bazuara që kjo krizë do të rezultojë me çmimet më të larta, të cilat do të stabilizohen në nivele më të larta, edhe natyrisht me rritje ekonomike më të ulët. Si rezultat, të gjitha ekonomitë po i bëjnë përgatitjet e duhura me masat më emergjente që duhet të ndërmerren në situata të tilla, veçanërisht sa i përket ruajtjes së fuqisë blerëse të konsumatorit dhe uljen ose menaxhimin e kostos së bizneseve. Kosova nuk bën përjashtim nga ky rregull dhe ne pasojat kemi filluar t’i shohim gjerësisht. Nga praktikat ndërkombëtare, bazuar në studime, krizat e tilla si kjo që po ndodh tani nuk i prekin të gjitha vendet në mënyrë proporcionale. Pra, kriza është asimetrike për dy arsye: 1. Ekonomitë që karakterizohen me import të lartë, veçanërisht me importin e energjisë, preken më shumë sesa ekonomitë e tjera. 2. Ekonomitë me të ardhura të ulëta preken gjithashtu më shumë, pasi në këto ekonomi statistikat e FMN-së tregojnë që 36% e shpenzimeve të konsumit shkon për ushqime, krahasuar me 20% për ekonomitë në zhvillim dhe vetëm 9% për ekonomitë e avancuara. Sigurisht, në bazë të të dhënave, Kosova i përmbush të dyja këto kushte për t’u prekur proporcionalisht më shumë sesa ekonomitë e tjera”, tha ai.
Ai kritikoi Qeverinë që deri tani ka ndërmarrë vetëm një masë për çmimet.
“Tani, për t’u përballur me këtë krizë, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë vetëm një masë të vetme: përcaktimin e marzhës së fitimit për bizneset që merren me derivate. Ndërkaq gama e gjerë e masave të nevojshme që duhet të ndërmerren në raste të tilla nuk është konsideruar, dhe kjo është paksa e çuditshme kur po përballemi me 40% rritje të çmimit të derivateve. Për informim, vetëm mes datës 2 dhe 3 prill (dje dhe pardje), çmimi i naftës është rritur me 14% — çmimi i furnizimit në burim është rritur me 14%. Tani, kjo masë e qeverisë, ne vlerësojmë që nuk është adekuate për dy arsye: Së pari: Caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por kjo u mundëson bizneseve që çdo rritje në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht tek konsumatori i fundit. Me këtë masë, bizneset nuk kanë nxitje për ulje të shpenzimeve, kështu që konsumatori, në vend që të mbrohet, në fakt ai e bart plotësisht barrën e rritjes së çmimit. Së dyti: Përvoja dëshmon se ndërhyrjet e tilla, që janë dukur tërheqëse për qytetarët, në fakt e përkeqësojnë situatën. Këto lloj ndërhyrjesh bëjnë që, në pamundësi të operimit brenda marzhave të fitimit të përcaktuara nga qeveria, disa biznese të dalin nga tregu. Rrjedhimisht, konkurrenca dëmtohet pasi tregu koncentrohet në më pak biznese, të cilat mund të përballojnë marzha më të ulëta për shkak të ekonomizimit të shkallës, ndërkohë që fitimi i tyre rritet”, u shpreh ai.
Hoti tregoi tri obligime që Qeveria do të duhej t’i ndërmerrte.
“Të luash rolin ligjor dhe kushtetues të qeverisë në raste të tilla, janë tri detyra/obligime që ka qeveria: Të mbrojë konsumatorin duke marrë përsipër vetë një pjesë të barrës, ndërkohë pjesën tjetër ta shpërndajë proporcionalisht në shoqëri. Të parandalojë sjelljet abuzive në treg që mund të ndodhin në situata të tilla dhe të ruajë konkurrencën. Të punojë në kusht me bizneset për përballim të situatës”, tha ai. /EO