Çitaku: Deklaratat e Kurtit ndaj mediave janë skandaloze dhe të papranueshme
Foto: Laura Hasani

Çitaku: Deklaratat e Kurtit ndaj mediave janë skandaloze dhe të papranueshme

Aktuale April 02, 2026 - 18:07

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, duke i cilësuar ato si skandaloze dhe të papranueshme.

Sipas saj, sulmet e Kurtit nga foltorja e Kuvendit kundër mediave janë të rënda dhe të pabazuara, raporton Zeri.info.

“Shtë skandaloze dhe e papranueshme deklarata dhe sulmet e Albin Kurtit sot nga foltorja e Kuvendit kundër mediave. Një njeri që ka pasur pushtet pothuajse absolut në Kosovë për gati gjashtë vite, del dhe hedh akuza të rënda, duke pretenduar se media kanë marrë para nga Serbia,” ka shkruar Çitaku.

Sipas saj, këto deklarata janë përpjekje për të hedhur mjegull dhe për të shmangur përgjegjësinë.

“Kush ka marrë para nga Serbia, Albin? Kush? Nxirr emrat. Nxirr faktet. Mjaft më me sulme dhe etiketime të pabazuara kundër mediave të lira,” ka shtuar ajo.

Çitaku ka përmendur edhe çështjen e ambasadorit Martin Berishaj, duke thënë se mbajtja e tij në detyrë, pavarësisht raportimeve për afera financiare, e dëmton kredibilitetin moral të kryeministrit.

Ajo gjithashtu kritikoi mbështetjen, sipas saj, për persona që përhapin narracione të lidhura me UDB-në për masakrën e Dubravës, duke theksuar se kjo është e papranueshme. /Zëri