Shpërndarja e Kuvendit s’është instrument për t’i kaluar vështirësitë politike, thotë Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë fjalën gjatë seancës parlamentare të Kuvendit, të mbajtur të enjten.
Ai ka folur për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërbërjen e Kuvendit, për çka tha se ishte në shpërputhje me ligjet e vendit.
“Dekreti ka krijuar një situatë, e cila kërkon qartësi e jo konfuzion. Gjykata Kushtetuese ka folur për këtë dhe ka treguar për kufijtë që i vendos çdo institucioni. Në këtë rend, shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për të kaluar vështirësitë politike”, theksoi kreu i Qeverisë.
Kurti tha se pas qartësimit të kësaj situate nga Kushtetuesja, Kuvendi është funksional e po ashtu edhe mandatet e deputetëve.
Ai tha se detyrë e të gjithë deputetëve është që t’i çojnë proceset përpara dhe të angazhohen që të votohen marrëveshjet ndërkomëbtare.
“Rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat, inatet, refuzimet për të ecur përpara, por çka pritet prej nesh është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që e përmirësojnë jetën e qytetarëve. Të gjitha këto nuk mund të mbahen peng të një krize të prodhuar politikisht”, theksoi kryeministri i vendit. /Zëri

