Pas alarmit për Iranin, ministri shqiptar i Mbrojtjes: Qytetarët të jenë të qetë, s’ka vend për panik
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi ka folur pas paralajmërimit të bërë dje nga Ambasada Amerikane se Irani mund të sulmojë subjekte të lidhura me ShBA-të në Shqipëri.
Nufi thekson se nuk ka vend për panik dhe qytetarët shqiptarë duhet të jenë të qetë, pasi sipas tij janë të sigurt.
I pyetur nga A2CNN nëse ka një kërcënim për Shqipërinë, Nufi duke folur në hyrje të Kuvendit u shpreh:
“Besoj që SHBA-të, atë lajmërim që kanë bërë, e kanë për qytetarët e vet, dhe SHBA-të janë edhe më sensitive për ruajtjen e qytetarëve të tyre. Sa i takon qytetarëve shqiptarë siguria është e garantuar nga aleanca ushtarake më e fuqishme në botë. Ne si qeveri kemi marrë masat për të gjitha sistemet e nevojshme dhe procedurat që duhet të kryejmë për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Jemi në një situatë ku ka një konflikt. Jemi një shtet që kemi mbajtur qëndrim të prerë, kundrejt atij regjimi, kanë filluar që në 2022 sulmet nga aktorë malinj të atij shteti, përsëri kemi parë ditët e fundit sulme te Parlamenti dhe Posta. Qytetarët shqiptarë duhet të jenë të qetë, të sigurt. Që duhet të kemi kujdes duhet të kemi kujdes, por nuk ka vend për panik”.