Afati rrjedh, partitë ende pa marrëveshje për zgjedhjen e presidentit
Mes pritjeve nga partia në pushtet, që partitë opozitare ta propozojnë një kandidat për president dhe vetë opozitës që po shpërfaq kritika për Lëvizjen Vetëvendosje, siç thonë, për qasjen e pavend ndaj procesit të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, po vazhdon të rrjedhë 34-ditëshi i vendosur si afat nga Kushtetuesja për përmbyllje të këtij procesi, ose çuarjes së vendit me automatizëm në zgjedhje të reja pas 45 ditëve.
Në Vetëvendosje thanë se është çështje që i takon kryeministrit se kur do t'i dërgojë ftesat e radhës për takime me liderët opozitarë në lidhje me këtë çështje.
“Ajo çfarë ka thënë kryeministri qëndron, besoj shumë shpejt do të ketë edhe takime edhe zhvillime sa i përket kësaj çështjeje, po për më tepër i takon kryeministrit të deklarohet,” tha Hekuran Murati.
E vetë kryeministri Kurti, në një mbledhje të Qeverisë, tha se do t'i konsultojë paraprakisht organet e brendshme të partisë që drejton dhe tek pastaj do ta ftojë Hamzën e Abdixhikun në përpjekjet për ta gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri.
Në Partinë Demokratike thanë se nuk kanë ndërmend ta propozojnë asnjë emër, duke shtuar se për këtë çështje kërkohet marrëveshje.
“Tani jemi në një fazë të re, gjithçka e qartë edhe në kuptimin e aktgjykimit të fundit nga Gjykata Kushtetuese dhe sigurisht që ai që duhet të iniciojë këto takime është partia në pushtet e kryeministri aktual, i cili deri në këto momente nuk e ka bërë. Për PDK-në është e rëndësishme t’i jepet drejtim vendit. Për t’i pasur 80 deputetë duhet të ketë edhe marrëveshje, sepse sovrani, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk ia kanë dhënë mandatin kryeministrit aktual që ta zgjedhë vetë edhe presidentin dhe në këto rrethana duhet të ketë një marrëveshje që ep drejtim zgjedhjes së presidentit. Në këtë kuptim, PDK është e gatshme të japë kontributin e vet,” tha Kujtim Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës.
E në Lidhjen Demokratike thanë se kjo është çështje mes kryetarëve të partive politike.
Edhe në Aleancë i thanë RTK-së se Lëvizja Vetëvendosje e ka të qartë se pa konsensus nuk mund të arrihet zgjedhja e presidentit, megjithatë thonë se nuk po ndërmerren hapa që çojnë drejt kësaj zgjidhjeje.
“Gjykata Kushtetuese e ka dhënë një verdikt, dhe mirë që ra edhe kërkesa e Albulena Haxhiut bashkë me nënshkrimin e disa deputetëve të LVV-së dhe nuk i kanë obliguar deputetët të qëndrojnë në sallë, gjë që i dha të kuptojë LVV-së se pa një konsensus dhe një marrëveshje politike nuk mund të zgjidhet presidenti,” tha ndër të tjera Time Kadrijaj e AAK-së.
Me aktgjykimin e shpallur nga Kushtetuesja, u përcaktua afati prej 34 ditëve për zgjedhjen e Presidentit, konkretisht deri më 28 prill. Nëse ky proces nuk përmbyllet deri më këtë datë, vendi automatikisht shkon në zgjedhje, tha Kushtetuesja.