Ambasada e SHBA-së në Tiranë: Irani mund të shënjestrojë vende turistike, qendra tregtare e hotele në Shqipëri

Ambasada e SHBA-së në Tiranë: Irani mund të shënjestrojë vende turistike, qendra tregtare e hotele në Shqipëri

Aktuale April 01, 2026 - 20:31

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë, duke bërë të ditur se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me SHBA-në, si dhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.

Sipas njoftimit të ambasadës, kërcënimet mund të përfshijnë edhe vendet publike, përfshirë zona turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.

Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë vigjilencë të shtuar dhe të ndjekin zhvillimet përmes mediave lokale.

Në njoftim, qytetarët këshillohen të qëndrojnë të vëmendshëm në çdo moment, të jenë të vetëdijshëm për rrethinën ku ndodhen, të rishikojnë planet personale të sigurisë dhe të mbajnë telefonin të karikuar për raste emergjente.

Paralajmërimi i ambasadës vjen pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi tërheqjen e mundshme nga Irani në rast të hapjes së Ngushticës së Hormuzit, duke shtuar tensionet në rajon dhe duke rritur nevojën për kujdes për qytetarët dhe subjektet amerikane jashtë vendit.

Kuvendi i Shqipërisë me 17 mars miratoi një rezolutë për shpalljen e Iranit “shtet sponsor i terrorizmit” dhe shtet që përdor mjete terroriste.

Rezoluta u miratua me 79 vota për, një abstenim ndërsa opozita nuk mori pjesë në seancë.

Përmes kësaj rezolute, Shqipëria dënon veprimet e Republikës Islamike të Iranit që, sipas dokumentit, mbështesin dhe mundësojnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës, si dhe shprehet solidaritet i plotë me vendet mike të Gjirit Arab dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestuar ditëve të fundit nga Irani.

Përmes rezolutës dënohen edhe sulmet kibernetike të kryera kundër institucioneve të Shqipërisë, përfshirë sulmin e vitit 2022 ndaj infrastrukturës shtetërore dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit.

Shqipëria nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin prej vitit 2022, për shkak të sulmeve kibernetike iraniane.

Autoritetet shqiptare i konsideruan këto sulme si hakmarrje për strehimin e disidentëve iranianë të Organizatës Popullore Muxhahedine të Iranit (MEK) një dekadë më parë.