Për herë të parë në Shqipëri, kompensim për dëmet në shëndet nga ajri i ndotur
Qytetarët shqiptarë që do të preken nga problemet shëndetësore të shkaktuara nga ndotja e ajrit do të kenë të drejtën të kërkojnë kompensim nga shteti.
Kjo parashikohet për herë të parë në projektligjin e ri “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, i publikuar për konsultim publik nga Ministria e Mjedisit.
Projektligji synon gjithashtu të rrisë transparencën në raportimin mjedisor dhe të zgjerojë pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje, duke u dhënë qytetarëve një rol më aktiv në çështjet që prekin shëndetin dhe mjedisin e tyre.
Sipas Ministrisë, ndryshimet pritet të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetesës.
Baza e re ligjore vjen si pjesë e përpjekjeve për përafrim me standardet e Bashkimit Evropian. Ministria e Mjedisit pranon se deri më sot Shqipëria nuk ka pasur mekanizma të mjaftueshëm për matjen e cilësisë së ajrit.
“Fusha e mbrojtjes së mjedisit ka pësuar zhvillime të rëndësishme gjatë viteve të fundit, por kuadri aktual ligjor ka boshllëqe në monitorimin e cilësisë së ajrit dhe zbatimin e masave në rastet e tejkalimit të niveleve të ndotjes”, thuhet në dokument.
Projektligji parashikon vendosjen e superstacioneve monitoruese në qytete dhe zona rurale, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian, dhe përcakton rregullat për administrimin dhe funksionimin e tyre. Për më tepër, indeksi i cilësisë së ajrit do të përditësohet çdo orë, duke informuar qytetarët jo vetëm për nivelin e ndotjes, por edhe për efektet shëndetësore dhe masat mbrojtëse që duhet të ndërmerren.
Kjo nismë pritet të sjellë një reformë të thellë në sistemin e monitorimit dhe menaxhimit të ndotjes, duke e vendosur Shqipërinë më afër standardeve evropiane dhe duke forcuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, raporton A2CNN.