Digjitalizimi në drejtësi, temë në takimin Kurti–Barbano

Digjitalizimi në drejtësi, temë në takimin Kurti–Barbano

Aktuale April 01, 2026 - 17:57

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shefin e Misionit të EULEX, Giovanni Pietro Barbano.

Gjatë këtij takimi u vlerësua puna e EULEX-it në Kosovë, me theks të veçantë roli në monitorimin e institucioneve të drejtësisë dhe kontributi në avancimin e sundimit të ligjit, raporton Zeri.info.

U theksua se sfidat në sistemin gjyqësor mbeten të pranishme, sidomos vonesat në trajtimin e rasteve, menaxhimi joefikas dhe mungesa e konsistencës në vendimmarrje. Në këtë drejtim, u nënvizua nevoja për reforma të thella që rrisin disiplinën, llogaridhënien dhe efikasitetin.

Palët u pajtuan se digjitalizimi është kyç për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, si dhe për zbatimin e plotë të sistemit elektronik për menaxhimin e lëndëve nga çdo gjykatës dhe prokuror.

EULEX-i u vlerësua si partner i rëndësishëm në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa Kurti riafirmoi përkushtimin e Qeverisë për vazhdimin e reformave drejt një drejtësie më efikase, transparente dhe llogaridhënëse. /Zëri