Pula për dhunën: Sfida nuk është mungesa e ligjeve, por zbatimi i tyre
Koordinatorja për Rastet e Dhunës në Familje dhe prokurore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar se Prokuroria e Shtetit mbetet e përkushtuar në adresimin e rasteve të dhunës në familje dhe atyre me bazë gjinore.
Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë tryezës së organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, me temë: “Performanca dhe Mangësitë: Trajtimi Institucional i Dhunës në Familje në vitin 2025”, ku mori pjesë si paneliste.
Prokurorja Pula theksoi se prokuroria ka një rol të pazëvendësueshëm dhe se dhuna në familje kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional me policinë, gjykatat, qendrat për punë sociale dhe mekanizmat mbështetës për viktimat. Ajo shtoi se pa koordinim, mbrojtja mbetet formale, ndërsa vetëm me bashkëpunim real ajo bëhet efektive.
Gjithashtu, Pula vuri në pah se sfida kryesore nuk është mungesa e ligjeve, pasi Kosova ka një bazë ligjore të avancuar. “Sfida e vërtetë është zbatimi konsekuent, reagimi i shpejtë dhe toleranca zero ndaj dhunës”, tha ajo.
Prokurorja theksoi se Prokuroria duhet të dërgojë një mesazh të qartë shoqërisë: dhuna nuk tolerohet, viktima nuk është vetëm dhe shteti reagon. “Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën e viktimave, por mund të parandalojmë dhunën e ardhshme. Pikërisht këtu fillon misioni ynë si prokurorë — jo vetëm të ndëshkojmë krimin, por të mbrojmë jetën, dinjitetin dhe sigurinë njerëzore”, deklaroi Pula.
Në përfundim, u theksua se Prokuroria e Shtetit mbetet e përkushtuar në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe atyre me bazë gjinore. /rtk