Dhuna në familje dukuri shqetësues në Kosovë
foto: Ilustrim

Dhuna në familje dukuri shqetësues në Kosovë

Aktuale March 31, 2026 - 22:35

Ndër dukuritë shqetësuese të shoqërisë, edhe më tej vazhdon të mbetet dhuna në familje, e cila shfaqet në forma të ndryshme, me ç’rast shumica nga viktimat janë gratë dhe vajzat.

Pavarësisht përpjekjeve për ta luftuar këtë dukuri, ajo vazhdon të jetë e pranishme dhe shpesh e pa raportuar për shkak të frikës, stigmatizimit dhe mungesës së mbështetjes së mjaftueshme.

“Duhet të parandalohen këto raste dhe të rritet sensibilizimi, duke pasur parasysh kontekstin në të cilin ndodhemi, ku ekziston stigmatizimi dhe shpesh nuk raportohet dhuna. Duke ditur se dita-ditës familjet po rëndohen si pasojë e gjendjes së tyre ekzistenciale, atëherë dora e shtetit duhet të dalë në ndihmë”, tha Genc Xërxa, sociolog.

Pre e dhunës në forma dhe trajta të ndryshme mund të bëhet çdo grupmoshë. Megjithatë, statistikat tregojnë se më së shumti viktimat i përkasin grupmoshës 20 deri në 40 vjeç. Këto të dhëna u prezantuan gjatë një diskutimi me temën: “Një vlerësim mbi trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje: Si janë trajtuar gjatë vitit 2025”.

Bazuar në statistikat e rasteve, që kanë nxitur reagim të policisë, ndihmë për dhunë në familje, përgjatë vitit të kaluar kanë kërkuar mbi 2 mijë e 800 njerëz. /rtk